Komunat veriore sot vendosin nëse e pranojnë shtetin e Kosovës
Mitrovicë, 17 prill - Kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zveçanit do të mblidhen sot në ora 17:00, për të diskutuar nëse do ti harmonizojnë statutet e tyre me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Kosovës, sot është dita e fundit e afatit ligjor për këto komuna.
Ndërsa komunat e Mitrovicës veriore dhe Zubin Potokut kanë afat deri në datën 22 prill për të vendosur.
Nëse nuk ndryshojnë statutet e tyre, këto komuna rrezikojnë shpërbërjen e kuvendeve dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Përveç se komunat veriore kanë shmangur simbolet dhe mbishkrimi Republika e Kosovës, referencë e statuteve të katër komunave veriore është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, Marrëveshja e Brukselit, si dhe bashkëpunimi i tyre me Serbinë.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Nemanja Jakshiq, ka thënë se ata nuk pranojnë simbolet e Republikës së Kosovës në dokumentet dhe vulat e tyre. Por u shpreh se fjalën kryesore e kanë delegatët.