19 Janar 2025

Komunat veriore sfida e institucioneve qendrore të Kosovës

Prishtinë, 1 janar -  Strukturat e reja udhëheqëse të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe ende nuk kanë filluar zyrtarisht detyrën, për arsye se ato po refuzojnë të bëjnë konstituimin e kuvendeve komunale sipas rregullave te Ministrisë së Pushtetit Lokal të qeverisë së Kosovës.

Ligji për pushtetin lokal përcakton qartë se inaugurimi i kuvendeve komunave dhe betimi i kryetarëve të komunave duhet bërë duke respektuar simbolet dhe ligjet e Kosovës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Lumnije Demi, thotë se \"komunat në Veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi, ende nuk kanë arritur t\'i plotësojnë kërkesat ligjore për organizim dhe mbajtjen e seancave inauguruese. \"

Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar nga këto komuna shtyrjen e seancave inauguruese të planifikuara për në fund të dhjetorit, sepse sipas zëdhënëses Demi \"kjo shtyrje mund të shërbejë për t\'i përmirësuar përgatitjet për mbajtjen e seancave inauguruese në përputhje me ligjet e Kosovës\".

Kryetarët e sapo zgjedhur të komunave veriore të Kosovës, tashmë disa herë janë deklaruar se nuk i njohin institucionet e Kosovës. Analisti i pavarur Ymer Mushkolaj, i tha DW-së, se në një situatë të tillë, ai nuk e kupton \"se si mund të funksionojë një komunë normalisht kur edhe pse ekziston brenda territorit të Kosovës, nuk i njeh institucionet dhe shtetin të cilit i takon\".

Kryetarët e rinj serb po sabotojnë institucionet qendrore

\"Kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe nuk do ta kenë qëllim që të integrohen në sistemin juridik kosovar, por ta sabotojnë atë, me ndihmën e Beogradit. Në këtë mënyrë, ideja e integrimit të tyre do të kthehet në ide të veçimit të tyre, respektivisht funksionimit si entitet i veçantë në kuadër të Asociacionit të Komunave Serbe\", thotë Ymer Mushkolaj.

Asamblistët shqiptar të komunave veriore të Kosovës, kishin refuzuar të marrin pjesë në seancat inauguruese për faktin që atyre u ishin dërguar ftesat për pjesëmarrje pa simbolet e Kosovës.

Në zgjedhjet lokale të nëntorit, \"Nisma Qytetare Serpska\", e mbështetur nga qeveria e Beogradit fitoi në nëntë komuna të banuara me shumicë serbe.

Njëri nga kryetarët e komunës më të madhe me shumicë serbe të Veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, në ditën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve deklaroi se fitorja e \"Serpska\" i mundësoi qeverisë së Serbisë që të vazhdojë luftën për ruajtjen e Kosovës në përbërje të Republikës së Serbisë.

\"Kemi nëntë prefektë, të cilët e mbështesin qeverinë e Serbisë dhe të cilët në punën e tyre vazhdimisht do të përsërisin që nuk e njohin Kosovën e pavarur, që nuk janë nënshtetas të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, por të Serbisë\", pati deklaruar Kërstimir Pantiq.

 Bazuar në këto deklarata dhe në veprimet e mëtutjeshme të kryetarëve të sapo zgjedhur në komunat me shumë serbe që sfiduan institucionet qendrore, qeveria e Kosovës dërgoi më 18 dhjetor një letër në Bruksel, ku njoftoi baroneshën Catherine Ashton, se përfaqësuesit e serbëve nuk po respektojnë marrëveshjen e 19 prillit.

\"Qëndrimet tona janë të qarta. Në qoftë se do të ketë kryetarë apo kushdo që të jetë i zgjedhur në komunat me shumicë serbe, të cilët nuk e respektojnë ligjin e Kosovës, sepse edhe marrëveshja e Brukselit, kërkon që sipas ligjeve të Kosovës të bëhet konstituimi i komunave dhe veprimtaria e komunave me shumicë serbe, atëherë, kemi thënë se nëse ka të tillë, që nuk e respektojnë ligjin, do të konsiderohen ilegal\", është shprehur kryenegociatorja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, për mediumin publik të Kosovës.

Mirëpo, analisti i pavarur Ymer Mushkolaj, i tha DW-së, se marrëveshja e Brukselit tregon sipas tij njëfarë \"neutraliteti për komunat veriore brenda shtetit të Kosovës\". Ai thotë se kryeministri, Hashim Thaçi duhet ta sqarojë se çfarë nënkupton neutraliteti i komunave veriore të banuara me shumicë serbe\".

\"Komunat në veri nuk mund të jenë funksionale plotësisht dhe s\'ka si të jenë të tilla kur nuk i përfillin dhe nuk komunikojnë normalisht me institucionet e Kosovës. Është e paqartë se çfarë nënkupton \'neutraliteti\' i këtyre komunave karshi institucioneve kosovare\", thotë Ymer Mushkolaj.

Ai shpreh kritikë ndaj udhëheqësve të institucioneve qendrore të Kosovës, duke thënë se \"ata nuk e kanë zgjidhur problemin e veriut, por vetëm e kanë thelluar ndarjen, madje duke e legjitimuar atë\".

12 janari 2014, afati i fundit për konstituimin e komunave në veri

\"Në vend që ta zgjidhin problemin, institucionet kosovare vetëm sa e kanë rritur atë, respektivisht e kanë thelluar ndarjen. Ndryshimi qëndron në faktin se, përderisa liderët serbë të veriut dhe të komunave të tjera me shumicë serbe deri tani e kanë sabotuar dhe dëmtuar shtetin e Kosovës në mënyrë \'ilegale\', tani do ta bëjnë të njëjtën gjë vetëm se me lejen, apo legjitimitetin e dhënë nga vetë institucionet kosovare\", thotë analisti Mushkolaj.

Sidoqoftë, afati i fundit ligjor për konstituimin e organeve lokale pas zgjedhjeve të tre nëntorit është 12 janari i vitit 2014, afat ky i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ.

Deri në këtë kohë, me gjasë do të duhen konsultime shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

/dw/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)