Komunat me ngecje në digjitalizimin e shërbimeve administrative
Prishtinë, 14 gusht - Instituti GAP ka prezantuar të gjeturat e raportit me titull “Ngecjet e komunave në funksionalizimin e shërbimeve administrative”.
Agron Demi prezantoi të gjeturat e raportit mbi problemin e reformimit të administratës publike, me theks të veçantë ngecjet në ofrimin e shërbimeve administrative në formë digjitale.
Ai tha se edhe në këtë mandat qeverisës, ashtu sikurse edhe në qeverisjet e kaluara, reformimi i administratës dhe digjitalizimi i shërbimeve nuk kanë qenë fare prioritet.
Përkundrazi, administrata publike në vazhdimësi po shkon duke u politizuar, duke degraduar profesionalisht, duke marr gjithnjë e më shumë buxhet të taksapaguesve, e rrjedhimisht duke mos lehtësuar marrjen e shërbimeve për qytetarët.
Përkundër asaj se që nga shpallja e pavarësisë janë aprovuar dhjetëra dokumente strategjike e plane veprimi, shumë nga aktivitetet dhe objektivat e parapara kanë mbetur vetëm në letër.
Çdo vit shpenzohen mesatarisht 10 milionë euro për pajisje dhe sisteme të teknologjisë së informacionit. Por asnjëri nga sistemet e instaluara elektronike nuk është funksional plotësisht.
Qytetarët obligohen që për kryerjen e çfarëdo shërbimi, të dorëzojnë një mori dokumentesh të cilat edhe ashtu janë në pronësi të institucioneve publike.
Kësisoj, çdo vit lëshohen mbi dy milionë dokumente nga regjistri i gjendjes civile, qëllimi primar i të cilave është që të dorëzohen prapë tek institucionet për kryerjen e ndonjë shërbimi. Kjo ka bërë që administratat të jenë të mbingarkuara, kurse qytetarët obligohen që të enden nëpër institucione të ndryshme për marrjen e një shërbimi.
Ndërkaq Bekim Salihu prezantoi të gjeturat e raportit mbi nivelin komunal. Sipas tij, komunat janë shumë të varura nga niveli qendror sa i përket racionalizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve administrative. Megjithatë, komunat kanë ndërmarrë vetiniciativë për lehtësimin e shërbimeve administrative, duke instaluar kiosqe elektronike për nxjerrjen e dokumenteve.
Nga 38 komuna, 19 kanë instaluar kiosqe elektronike. Por, nga hulumtimi në terren ka rezultuar se nga 42 kiosqe elektronike që janë instaluar nëpër komuna, më shumë se gjysma e tyre janë jo funksionale.
Arsyet më të shpeshta për mos funksionimin e-kiosqeve elektronikeve kanë të bëjnë me ndërprerjet e shpeshta të internetit, vendosja e tyre në vende të hapura e të pa mbrojtura nga kushtet atmosferike, mungesa e përkujdesjes dhe mos furnizimi i tyre me rregull me material shpenzues.
Këto pengesa, si dhe hezitimi i qytetarëve për t’u shërbyer nga to, kanë bërë që kiosqet elektronike të mos e arrijnë qëllimin e synuar.