Komuna e Prizrenit mbështet integrimin e komunitetit RAE
Prishtinë, 5 prill - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Qeveria komunale e Prizrenit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Administratës lidhur me lirimin nga taksat administrative për regjistrimin e të gjithë qytetarëve të paregjistruar dhe fëmijëve të lindur jashtë sistemit shëndetësor nga radhët e komuniteteve RAE. Ky lirim do të vlej gjatë muajit prill. Propozimi i miratuar vjen si rezultat i një qarkoreje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që kërkon që muaji prill të jetë muaj i regjistrimit të qytetarëve të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas, që janë të lindur jashtë sistemit shëndetësor.
Në këtë drejtim është miratuar edhe propozimi i Drejtorisë së Arsimit mbi lejimin e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për Qendrat Mësimore Jeta e Re dhe Terzi Mahalla për komunitetet RAE, shumë kjo që kap vlerën prej 15 mijë euro.
Në takim është miratuar edhe propozim vendimi për rendin shtëpiak në Qendrën e Shërbimit me Qytetarë e propozuar nga Drejtoria e Administratës, me qëllim të informimit të palëve në çdo kohë rreth kërkesës së parashtruar të tyre, komunikimit korrekt, qasjes së qytetarëve në gjuhën e tyre, hyrjet-daljet e punonjësve civil, etj. Po ashtu është miratuar edhe konkluzioni për shpallje të tenderit për furnizim me uniforma për stafin e kësaj qendre.
Ekzekutivi lokal ka miratuar kërkesat e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për lejimin e shpalljes së tenderëve për ndërtimin e disa rrugëve dhe kanalizimeve me participim dhe atë në rrugën Fatmir Berisha-lagja Bajram Curri; lagja Sopaj fshati Zhur; rruga lokale në fshatin Gjonaj; ndërtimi i kanalizimit në fshatrat Gjonaj, Nashec; në rrugën e Koshares; rruga Besim Shala në lagjen Jeta e Re; ndërtimin e rrugëve lokale në fshatin Vlashne dhe në fshatin Atmaxhë e Vogël. Gjithashtu edhe shpalljen e tenderit për pastrimin e hedhurinave në përroskat e fshatit Lubiqevë.
Kanë kaluar edhe kërkesat e Drejtorisë për Arsim rreth lejimit të shpalljes së tenderëve për organizimin e Festivalit të valleve popullore për nxënës të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta ku do të kenë mundësinë e konkurrimit edhe nxënësit nga komunat tjera, sipas kritereve të konkursit. Ky festival do të mbështetet me rreth 3 mijë e 500 euro, derisa 3 mijë euro janë ndarë për organizimin e Festivalit-Loja skenike.
Ekzekutivi lokal ka miratuar edhe kërkesat e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, për themelimin e Muzeut Etnologjik në Prizren si dhe është miratuar raporti i komisionit që ka bërë vlerësimin e punëve të kryera-realizuara në fshatin turistik Prevallë nga ana e NPShT Fanaj Ingjinjering nga Prizreni.
Qeveria lokale në këtë takim i ka dhënë dritën e gjelbër edhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport për mbështetjen financiare të Klubit të karatesë Drini nga Prizreni për pjesëmarrje në Kampionatin botëror të karatesë që mbahet në Stamboll të Turqisë, (1 mijë euro), dhe mbështetje financiare Festivalit folklorik Hasi Jehon-2013 në vlerë prej 5 mijë euro.
Me kërkesën e Shoqatës për Përparimin e Medieve Shatërvani për mbështetje të projektit Rinia, vështirësitë dhe e ardhmja e tyre, ekzekutivi lokal ka mbështetur projektin në fjalë me 1 mijë euro.
Në këtë takim është shqyrtuar edhe propozimi i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa për formimin e komisionit pesë anëtarësh për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba nga Shërbimet Komunale nr.01/011-4099. Komisioni në fjalë do të punoj për caktimin e taksës komunale për ushtrimin e veprimtarisë afariste për biznese i cili do të hartojë Projekt-Rregulloren mbi tarifat, ngarkesat dhe gjobat nga Shërbimet dhe veprimtaritë Komunale 2014.