28 Prill 2024

Komuna e Mitrovicës koordinohet me qytetarët e veriut

Mitrovicë, 10 prill - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe banorët shqiptarë që jetojnë në veri kërkojnë që urgjentisht të shtohen masat e sigurisë në mënyrë që të mos eskaloj situata.

Poashtu ata janë dakorduar për vazhdimin e komunikimit të afërt si institucione dhe qytetarë në mënyrë që bashkërisht të merren vendime në këtë situatë të tensionuar pas vrasjes së Selver Haradinajt dhe plagosjes së tre fëmijëve të tij.

Për të koordinuar qëndrimet, zyrtarët komunalë kanë mbajtur të martën një takim me përfaqësuesit e banorëve shqiptarë që jetojnë në veri të qytetit. U kërkua maturi dhe syqeltësi si prej institucioneve ashtu edhe prej banorëve.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka përgëzuar qytetarët për pjekurinë  e tyre qytetare dhe kombëtare, duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme  nga strukturat ilegale serbe. Ai tha se komuna dhe të gjitha institucionet do të jenë pranë banorëve në çdo moment, në mënyrë që sa më lehtë të kalohet situata e krijuar.

Ai potencoi se qytetarët duhet të vazhdojnë të jenë syçelë, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar, mirëpo secili ka të drejtë të mbroj pronën dhe familjen e tij nëse sulmohet. “Secili duhet të kontribuoj në qetësimin e situatës, mirëpo secili ka të drejtë dhe duhet të mbroj pragun e shtëpisë nëse sulmohet”.

Në anën tjetër, banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre për tensionim e situatës pas vrasjes së një qytetari shqiptar në shtëpinë e tij në zonën e “Tre rrokaqiejve”.  Ata theksuan se në këto momente ndjehen të pasigurt, andaj kanë nevojë urgjente që të shohin një prani më të madhe të strukturave të sigurisë.

Musa Miftari, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Doktorëve, tha se strukturat e sigurisë duhet të ndërmarrin masa shumë shpejt sa i përket krijimit të sigurisë. “Nuk kemi nevojë për mbështetje morale, por për aksione konkrete”.

Ai theksoi që 13 vjet pas luftës vrasjet ndaj shqiptarëve në veri nuk janë ndalur dhe këto po vazhdojnë edhe sot. “Duhet të gjendet zgjidhje për të mbrojtur elementin shqiptar në veri”, tha ai, duke shtuar se krahasuar me vitet e pasluftës tash situata është më ndryshe sepse ekzistojnë mekianizmet e shtetit të Kosovës që duhet të veprojnë.

Miftari tha se duhet të jetë e qartë se qytetarët e Kosovës dhe shteti i Kosovës nuk ka problem me qytetarët e veriut, por me shtetin e Serbisë. “Vrasja e të riut në veri nuk është bërë rastësisht dhe nga grupe kriminale, por nga struktura profesionale të shtetit të Serbisë”.

Pas takimit në komunë, kryetari Kastrati me bashkëpunëtorë ka vizituar disa lagje të veriut. Ai ka biseduar me qytetarë, të cilëve ua ka thënë se do të jenë bashkë në çdo situatë.        

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)