27 Prill 2024

Komuna e Mitrovicës kërkon maturi nga qytetarët

Mitrovicë, 10 nëntor - Pas incidentit që ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:00 në Kroin e Vitakut, ku pas një përleshje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë plagosur tre persona, prej të cilëve një ka vdekur më vonë, zyrtarët e Komunës së Mitrovicës, kanë thirrur në takim përfaqësuesit e banorëve shqiptarë të lagjeve veriore.

Prej tyre u kërkua që të ruhet qetësia dhe të kenë besim tek institucionet në mënyrë që situata të menaxhohet më lehtë.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se shqiptarët që jetojnë në veri përkundër provokimeve të vazhdueshme kanë dhënë provimin e pjekurisë dhe përgjegjësisë qytetare. Ai bëri thirrje që kjo të vazhdoj në mënyrë që situata të ruhet e qetë.

Ai theksoi se çdo eskalim i situatës shkon në favor të atyre që nuk duan Kosovën. “Ne të gjithë në mënyrën tonë duhet t’i kontribuojmë qetësimit të situatës, meqë kjo është shumë me rëndësi për shtetin tonë”.

Përfaqësuesit e lagjeve ishin dakord me qëndrimet e kryetarit të komunës. Ata thanë se gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës kanë qenë të provokuar dhe kanë jetuar në presion të vazhdueshëm. Megjithatë u zotuan për të ndikuar në popullatë që të mos bëhen pre  e provokimeve të grupeve kriminale.

Skënder Rama nga Kroi i Vitakut, tha se në lagjen e tyre kanë nevojë për prani më të madhe të policisë. Tha se gjatë këtyre ditëve do të ishte mirë që policia të jetë 24 orë në lagje.

Lidhur me këtë kërkesë, komandanti i stacionit jugor, Avni Zabeli, i cili ishte i pranishëm në takim, tha se do të shtrohet në nivelet më të larta të policisë. Ai u shpreh i sigurt se kjo kërkesë do të plotësohet në mënyrë që qytetarët të ndjehen më të sigurt.

Kërkesa për shtim të pranisë së policisë dhe masave të sigurisë pati edhe nga përfaqësuesit e lagjeve të tjera të veriut.
          

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)