Komuna e Mitrovicës kërkon largimin e të gjitha barrikadave
Mitrovicë, 4 qershor - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë përshëndetur largimin e barrikadës në afërsi të Rudarit nga ana e KFOR-it dhe kanë kërkuar që të vazhdohet me largimin e barrikadave të tjera.
Kjo u shtrua të hënën në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se KFOR-i ka bërë një punë të mirë që duhet të vazhdoj.
Barrikadat e vendosura në rrugët e veriut e kanë vështirësuar së tepërmi jetën e qytetarëve atje. Ato janë të papranueshme andaj strukturat e sigurisë nuk duhet të hezitojnë që ti largojnë ato dhe të krijojnë kushte për liri të lëvizjes.
Ai theksoi se duhet të largohet edhe barrikada në urën e Ibrit, e cila është duke krijuar një imazh të keq dhe të frikshëm. Barrikada në urën e Ibrit duhet të largohet, meqë është një imazh që ushqen ekstremistët serbë, të cilët duan që situata të jetë sa më kaotike.
Nënkryetari Haziri, ka dënuar sulmin e ekstremistëve serbë kundër KFOR-it, me çrast kanë mbetur të plagosur dy ushtarë.
Ai tha se njerëzit që kanë shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it janë njerëz të MUP-it dhe kjo dëshmon se të gjitha incidentet atje dirigjohen nga Beogradi.
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ditëve të fundit e sidomos ditën që është realizuar aksioni i KFOR-it për largimin e barrikadës në Rudare, ekstremistët serbë kanë qenë shumë të ashpër edhe me qytetarët serbë që nuk kanë dashur të dalin në rrugë.
Bala tha se ata i kanë rrahur edhe një numër të studentëve serbë që i kanë kundërshtuar urdhrat e tyre.
Nexhip Gashi nga Drejtoria rajonale e policisë, tha se situata është e qetë. Ai theksoi se në lagjet shumetnike në veri është rritur prania e policisë.