Komuna e Kaçanikut shton dinamiken e punëve
Kaçanik, 30 maj - Komuna e Kaçanikut shton dinamiken e punëve në projektet kapitale, ndërkohë angazhohet për mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese.
Edhe javën që lamë pas kanë vazhduar punimet në investimet kapitale të Komunës së Kaçanikut me dinamikë të shtuar të punimeve.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Nënkryetari i Komunës Remzi Elezi, u informuan për aktivitetet javore të komunës në mbledhjen e ekzekutivit, nga drejtorët e drejtorive përkatëse komunale.
Drejtori për Arsim dhe Kulturë Enver Kamishi njoftoi se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e provimit të maturës që do të mbahet me 4 qershor. Drejtori Kamishi poashtu njoftoi se është bërë planifikimi i regjistrimit të nxënësve për klasë të parë, ku sipas parashikimeve 512 fatosë në Komunën e Kaçanikut do të fillojnë mësimin për vitin akademik 2016-2017.
Drejtori i Shërbimeve Publike Ramadush Osmani tha se gjatë javës së kaluar është vazhduar me pastrimin dhe kositjen e hapësirave publike përgjatë bulevardit të qytetit dhe lumit Nerodime. Punimet kanë vazhduar edhe në projektet kapitale, në fshatin Nikaj është përfunduar me punimin e kanalit të hapur për ujëra atmosferike, në lagjen Gjinaj- Dubravë dhe në lagjen Prushaj- Gërlicë e Epërme është hedhur shtresa e zhavorrit, në lagjen Burrnik Runjevë është bërë zgjerimi i trasesë dhe gjithashtu edhe në rrugën Triumf Riza në Stagovë është bërë hapja e trasesë.
Nga ana tjetër Diana Reka- Drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tha se tashmë shërbimet shëndetësore janë bartur në objektin e ri të sapondërtuar të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe njëkohësisht janë bartur dhe akomoduar të gjitha shërbimet me inventarin përcjellës.
Ukshin Çallaku- Drejtor për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit tha se të gjitha projektet kapitale janë duke u realizuar sipas dinamikës së planifikuar.
Në takim prezantuan edhe Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit, zyra e personelit dhe zyra e prokurimit.