Kompletohet infrastruktura ligjore për menaxhimin azilkërkuesve
Prishtinë, 14 tetor - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt Forumi për Siguri, ku u diskutua për çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare në Kosovë dhe regjion.
Në këtë Forum morën pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, përfaqësues të ICITAP-it, EULEX-it dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, theksoi se në të gjithë botën ekzistojnë rreziqe dhe kërcënime të formave të ndryshme siç është trafikimi me armë, trafikim me droga dhe grupe ekstremiste me qëllime radikale.
Me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive dhe kontrollimit më të mirë të hyrjeve-daljeve, duhet filluar me një regjim të vizave për shtetasit e huaj që dëshirojnë të vijnë në Kosovë, tha zëvendësministri Zeka.
Ai bëri të ditur se është arritur të kompletohet infrastruktura ligjore për menaxhimin e të huajve dhe azilkërkuesve.
Po ashtu, zëvendësministri Zeka tha se është me interes strategjik qasja në bazën e të dhënave të Interpolit, Europolit, Fronteksit dhe mekanizmat tjerë që menaxhojnë me të huaj.
Gjithashtu, në këtë Forum u diskutua edhe për tema tjera me rëndësi për sigurinë në vend dhe për mundësitë e parandalimit të këtyre dukurive negative të cilat kërcënojnë sigurinë në Kosovë.