Komiteti për çështje politike të KE vizitoi Kosovën
Prishtinë, 3 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot një delegacion të kryesuar nga Raportuesi i Komitetit për çështje Politike të Këshillit të Evropës për Kosovën, Bjorn von Sydow.
Kryeministri Thaçi në takim e njoftoi z. von Sydow lidhur me procesin e reformave që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë në procesin e integrimit europian.
Në takimin e kryeministrit Thaçi me delegacionin e kryesuar nga z.Bjorn von Sydow është diskutuar edhe lidhur me dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e Kosovës për të vazhduar dialogun, edhe përkundër faktit se Serbia në vazhdimësi po tregohet palë destruktive lidhur me implementimin e marrëveshjeve.
Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm theksoi se zhvillimi ekonomik i pjesës veriore të Kosovës është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria ka prioritet mirëqenien e qytetarëve në atë pjesë të territorit të Kosovës. Qeveria nuk është ne konflikt me qytetarët e saj në veri, por me strukturat jolegale dhe me bandat kriminale, të cilat mbajnë peng popullsinë atje u shpreh z.Thaçi.
Raportuesi i Komitetit për çështje Politike të Këshillit të Evropës për Kosovën, Bjorn von Sydow informoi kryeministrin Thaçi lidhur me arsyen e vizitës në Kosovë.
Von Sydow përgëzoi kryeministrin Thaçi për punën e bërë lidhur me garantimin e të drejtave te minoriteteve dhe shprehu optimizmin për suksesin në veri, sikurse që ka ndodhur me integrimin e serbëve në pjesët tjera të Kosovës.