Komisioni Zgjedhor shpall zyrtarisht Albin Kurtin kryetar të Vetëvendosjes
Prishtinë, 23 janar - Ditën e diel, pas numërimit të votave në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) ka bërë shpalljen e rezultateve paraprake të votimit.
Pas shpalljes së rezultateve paraprake, në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, KZP-ja ka lënë 24 orë afat në dispozicion për paraqitjen e letërankesave nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje!.
Sipas Rregullores, secili anëtar ka patur të drejtën e votës, ashtu siç ka patur edhe të drejtën për t’u ankuar pranë KZP-së për cilëndo pjesë të procesit zgjedhor.
Gjatë afatit në dispozicion për pranimin e ankesave, pranë KZP-së nuk është paraqitur asnjë letërankesë për procesin zgjedhor.
KZP-ja ka konstatuar se procesi ka qenë i rregullt, dhe bazuar mbi rezultatet e bëra publike, shpall zyrtarisht deputetin Albin Kurti kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje!, duke i uruar punë të mbarë në mandatin e ri.