Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin e Universitetit Andrassy
Prishtinë, 5 dhjetor - Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës kanë pritur sot një grup profesorësh dhe studentësh nga Universiteti Andrassy i Budapestit me të cilët kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë.
Kryetari i Komisionit, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, ka folur për të arriturat, por edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet Kosova, pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Edhe pas gjashtë vjetësh nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e saj, është shprehur Kurti, duke shtuar se edhe sot e kësaj dite një e katërta e territorit të Kosovës kontrollohet nga eksponentë të regjimit të Beogradit.
Kurti ka folur edhe për zhvillimin e pamjaftueshme të vendit, papunësinë në rritje, sidomos tek të rinjtë, për privatizimin e egër neoliberal të ndërmarrjeve prodhuese dhe shpenzimet enorme për autostrada, të cilat punësojnë fare pak njerëz dhe nuk po i japin krah zhvillimit.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Andrassy të Budapestit, dr. Dietrich Pohl, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë që i është rezervuar në Kuvend, në Universitetin e Prishtinës e kudo në Kosovë, ka sqaruar se studentët e universitetit të vetëm gjermanishtfolës në Hungari e shohin me interes informacionin gjithëpërfshirës për zhvillimet në Kosovë.
Ai ua ka dhënë fjalën studentëve të tij që të shtrojnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me anëtarët e Komisionit për çështje që ju interesojnë lidhur me Kosovën, që kishin të bënin me mundësitë e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit, për gjasat e forcimit të demokracisë, si dhe për rreziqet që i kanosen vendit në pamundësi të shtrirjes së sovranitetit në tërë hapësirën gjeografike të Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara Kurti ka theksuar se vendimmarrja dhe demokracia në Kosovë janë shumë më mirë se sa në kohën e UNMIK-ut, por që janë shumë larg asaj që mundemi dhe që e dëshirojmë.
Kurti ka thënë se nuk është kundër privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore e shoqërore të Kosovës, por se kërkon që çështjet duhen diskutuar në parlament dhe në publik se si duhen privatizuar dhe kujt duhen dhënë këto ndërmarrje.
Ai, ndërkaq, është pajtuar që Kosova duhet të ndërtojë kapacitetet e saj energjetike në masën e nevojave të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit, por ka kundërshtuar mbështetësit e idesë për shndërrimin e Kosovës në një fuqi energjetike në rajon, duke e ilustruar këtë me ndotjen enorme të ambientit dhe rrezikimin e lartë të shëndetit të qytetarëve.
Kurti ka folur edhe për vazhdimin e politikës serbe për defunkcionalizimin e shtetit të Kosovës, duke e quajtur të gabueshme edhe politikën e BE-së, që nuk e sheh rrezikun për rajonin nga ringjallja e hegjemonizmit serb.
Ai, ndërkaq, ka pohuar interesin konsensual në Kosovë për integrime evropiane të vendit.
Në një pjesë të pyetjeve është përgjigjur edhe nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni. Duke shpjeguar politikën e standardeve të dyfishta të Serbisë për problemet nacionale në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Ai ka përkujtuar se Serbia ndërkohë që kërkon privilegje të papara për serbët në Kosovë, vazhdon ti tkurr për ditë të drejtat e shqiptarëve, që kanë edhe kompaktësi etnike dhe gjeografike. Problemet ekuivalente kërkojnë doemos edhe zgjidhje ekuivalente, ka konstatuar Hyseni.