Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së më pasivi
Prishtinë, 3 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin gjashtëmujor te monitorimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën janar-qershor 2013.
Në një konferencë për media, KDI ka paraqitur punën dhe angazhimet individuale të secilit deputet, grupeve parlamentare dhe komisioneve parlamentare.
Driton Selmanaj ka vlerësuar se kjo periudhë është karakterizuar me një kontroll sipërfaqësorë parlamentar, me një proces ligjbërës pa konsultime të nevojshme me publikun dhe faktorët tjerë relevant, dhe me një rol jo edhe aq përfaqësues të interesave të qytetarëve, gjë që ka dëshmuar se Kuvendi i Kosovës ka deficit të kulturës politike dhe parlamentare në kryerjen e obligimeve dhe mandatit kushtetues që ka.
Edhe më tutje tema e cila po e mban nën dirigjim punën e Kuvendit të Kosovës, është çështja e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo temë ka derivuar debate të gjata dhe të ashpra, shmangie të shpeshta të Rregullores, fjalor jo-parlamentar, tensione deri në përdorim të dhunës fizike brenda dhe jashtë Kuvendit, duke lënë nën hije mandatin dhe instrumentet tjera kushtetuese që ka ky institucion përfaqësues, ka thënë Selmanaj.
Sipas tij, përkundër që ishte krijuar një praktikë e mirë e raportimit të kryeministrit të Kosovës para Kuvendit, pas çdo takimi të realizuar në Bruksel, kjo praktikë tanimë ka filluar të injorohet dhe me gjasë ratifikimi i marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ka krijuar komoditet që kryeministri ti ikë obligimeve që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës.
Praktikat e ligjbërjes duke ju shmangur rregullave të Rregullores së Punës së Kuvendit, ishte instaluar në Kuvend në rastin e miratimit të pakos së ligjeve që dilnin nga Pakoja gjithëpërfshirëse e Presidentit Ahtisari.\"
\"Megjithatë përderisa ishte menduar që kjo praktikë aty ku filloi edhe do të mbaroj, nuk doli të jetë e saktë, ka deklaruar Selmanaj, ndërkohë ka shtuar se kjo tanimë është bërë një rutinë e keqe e punës së Kuvendit të Kosovës. Praktika e tillë siç tha ai, vazhdoi edhe me rastin e miratimit të Ligjit për Amnistinë, ku brenda një dite u miratua në të dy leximet.
Fatkeqësisht e njëjta gjë ndodhi edhe me 8 projektligjet që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave mes Kosovës dhe BE-së. Kjo praktikë e keqe e ligjbërjes e instaluar në institucionet e vendit, në vazhdimësi po derivon legjislacion të dobët dhe vështirë të implementueshëm në praktikë.
Një veçanti që e ka karakterizuar këtë sesion pranveror të Kuvendit të Kosovës, Selmanaj ka thënë se ka qenë instalimi i praktikës të seancave plenare me karakter komemorativ/ përkujtues. Vetëm gjatë këtij sesioni pranveror ai ka thënë se janë organizuar 8 seanca të karakterit të tillë.
Gara e pakuptimtë politike mbi përvetësimin dëshmorëve dhe ngjarjeve historike, ka bërë që Kuvendi i Kosovës ta devijoj mandatin kushtetues që ka, duke e shndërruar veten në një institucion komemorativ në përkujtim të ngjarjeve dhe datave historike, ka deklaruar Selmanaj.
Ndikim në performancën negative të Kuvendit sipas tij ka dhënë edhe mos efikasiteti i dy komisioneve të përkohshme parlamentare ai për reformë kushtetuese dhe reformë zgjedhore.
Të dy këto komisione ai ka theksuar se përkundër punës së tyre në draftimin e amendamenteve kushtetuese, projektligjit për Presidentin dhe adresimin e disa çështjeve për reformë zgjedhor, puna e tyre pa asnjë kuptim logjik dhe praktikë, ka mbetur peng i tekeve personale dhe politike të lidershipit politik në vend.
Mbikëqyrja Parlamentare
Në këtë periudhë raportuese janë zhvilluar 3 interpelanca parlamentare dhe 10 debate parlamentare.
Selmanaj ka thënë se tendenca në rritje e kërkesave për debat parlamentar nuk po dëshmohet si mekanizëm i suksesshëm në Kuvendin e Kosovës. Debatet e tilla siç tha ai më shumë po shfrytëzohen për promovim politik personal dhe grupor sesa thirrje për llogaridhënie dhe përgjegjësi.
Nga ana tjetër hezitimi i ministrave të kabinetit qeveritar për tiu përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve, prania e rrallë e tyre në seanca plenare kur trajtohen çështje që dalin nga fushë veprimtaria e tyre, mos përgjigja ndaj ftesave të komisioneve parlamentare për të raportuar në mbledhjet e tyre e deri tek injorimi i rekomandimeve apo qëndrimeve që dalin nga institucioni më i lartë përfaqësues në vend, janë raste të cilat dëshmojnë qartë për pa mundësi të ushtrimit të kompetencave kushtetuese të mbikëqyrjes së ekzekutivit nga ana e legjislativit.
Ai ka shtuar se fatkeqësisht kjo dëshmon që edhe më tutje në jetën parlamentare, mungon një sistem i përhershëm dhe i qëndrueshëm i kontrollit parlamentar, i cili po vjen nga moskuptimi i kontrollit parlamentar si funksion kushtetues pa marrë parasysh pozicionimin politik në pozitë apo opozitë brenda Kuvendit të Kosovës.
Komisionet parlamentare
Nga ana tjetër, Besnik Ramadanaj ka thënë se sa i përket këtyre trupave të Kuvendit, nga numri total prej 212 takimeve dhe 13 organizimeve të dëgjimeve publike, i bie që çdo komision ka mbajtur mesatarisht 15 takime për gjashtë muaj, apo 1-2 takime në muaj.
Sipas tij, në këtë aspekt, ka pasur raste kur një Komisioni sikurse ai për Buxhet dhe Financa ka mbajtur 7 takime brenda muajit, por edhe kur një Komision tjetër sikurse ai për Mbikëqyrjen e AKI-së që kanë mbajtur vetëm një takim përgjatë një muaji.
Komisioni parlamentar më aktiv është ai për Buxhet dhe Financa, me gjithsej 26 mbledhje. Pas tij renditet Komisioni për Zhvillim Ekonomik me 23 takime dhe ai për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor me 19 takime.\"
\"Komisioni më pasiv apo me më pak mbledhje të mbajtura ka qenë ai për Mbikëqyrjen e AKI-së, me gjithsej 9 takime përgjatë gjashtë muajve. Ndërkohë, Nën-komisioni për Mandate dhe Imunitete, ka mbajtur vetëm 7 takime. Ndër tre komisionet me më pak mbledhje të mbajtura është edhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike me 11 takime, ka thënë Ramadanaj.
Dëgjimet publike
Megjithëse vlerësohet si një prej formave më të mira të gjithpërfshirjes dhe marrjes së mendimit të qytetarëve dhe palëve të tjera të interesit, Ramadanaj ka thënë se dëgjimet publike po e reflektojnë anën negative të komisioneve.
Nëse krahasohet numri prej 29 projektligjeve të shqyrtuara brenda gjashtë muajve, ndërkohë janë organizuar vetëm 13 dëgjime publike, del se komisionet kanë konsultuar publikun vetëm për më pak se gjysmën e projektligjeve të shqyrtuar, ka thënë ai.
Komisioni për të drejtat, interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka organizuar 4 dëgjime publike, aq sa ka organizuar edhe Komisioni për Zhvillim ekonomik.
Dy dëgjime publike ka organizuar Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe nga një kanë organizuar Komisioni për punë te brendshme, ai për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione dhe Nën-komisioni për mandate dhe imunitete.
Monitorimi i zbatimit të ligjeve
Sa i përket kësaj çështjeje, Ramadanaj ka deklaruar se raportet ndërkombëtare për Kosovën në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin e mungesës së sundimit të ligjit. Ka Komisione sikurse ai për Bujqësi që megjithëse ka planifikuar monitorimin e tre ligjeve, nuk ka arritur as të fillojë procesin, kjo për shkak siç thuhet mungesës së mjeteve financiare që duhet mbuluar për monitorimin e disa ligjeve specifike siç është ai për Mbrojtjen nga Zhurma apo Mbrojtjen e Ajrit.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, Komisioni për Zhvillim ekonomik ka përfunduar monitorimin e Ligjit për masat mbrojtëse në importe, si dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa ka monitoruara Ligjin për menaxhimin e financave publike.
Në proces të monitorimit komisionet tjera kanë nga një, dy dhe më shumë ligje. Me më së shumti monitorim të ligjeve në proces është Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, me gjithsej tre ligje në proces, por që ende nuk kanë përfunduar asnjërin nga ta.
Plani legjislativ 2013
Sipas programit legjislativ 2013, janë paraparë që të miratohen 98 ligje. Ramadanaj ka thënë se megjithëse programi i Kuvendit edhe më tej varet nga strategjia legjislative e Qeverisë, në gjashtëmujorin e parë Kuvendi i Kosovës ka arritur që në lexim të parë të kalojë 29 projektligje, po aq sa ka shqyrtuar edhe në lexim të dytë.
Krahasuar me vitin e kaluar kur për 12 muaj ishin miratuar 62 projektligje, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë miratuar rreth gjysma e këtij numri, 29. Ky krahasim tregon se nëse legjislativi vazhdon me këtë dinamikë, por edhe dinamikën e vitit të kaluar, programi legjislativ do të zbatohet rreth 70 për qind. Po ashtu, kjo statistikë tregon se në gjashtëmujorin e dytë, Kuvendin e Kosovës e pret një punë shumëfish më dinamike, ka shtuar ai.
Ndërkohë, një problem tjetër sa i përket programit të punës së Kuvendit është edhe ajo se nga 98 projektligje të parapara për miratim gjatë vitit 2013, më shumë se gjysma e tyre janë për ndryshim-plotësim.
Mbi 60 për qind, apo 63 projektligje të sponsoruara nga Qeveria janë për plotësim ndryshim. Një fenomen i tillë tregon për kualitetin jo të mirë të ligjeve që po draftohen dhe miratohen nga institucionet tona qendrore. Prandaj kjo nxjerrë konkluzionin për nevojën e shtimit të konsultimeve publike gjatë të gjitha fazave të draftimit të ligjeve, qoftë brenda qeverisë po ashtu edhe brenda Kuvendit të Kosovës.
Deputetët më aktiv
1. Visar Ymeri 3.97 %
2. Halit Krasniqi 3.92 %
3. Alma Lama 3.10 %
4. Myzejene Selmani 2.86 %
5. Albulena Haxhiu 2.51 %
6. Ardian Gjini 2.30 %
7. Teuta Haxhiu 2.26 %
8. Time Kadriaj 2.26 %
9. Arben Gashi 2.13 %
10. Muhamet Mustafa 2.00%
11. Teuta Sahatqija 2.00 %
Deputetët më pasiv
1. Rada Trajkovic - 0.33 %
2. Florin Krasniqi - 0.26 %
3. Sreten Ivanovic - 0.24 %
4. Skender Hyseni - 0.22 %
5. Sasha Gjokic - 0.20 %
6. Vesimir Savic - 0.15 %
7. Ukë Rugova - 0.15 %
8. Vesna Mikic - 0.11 %
9. Bali Muharremaj - 0.11 %
10. Azem Syla - 0.09 %