Komisioni për Legjislacion përkrah Projektligjin për amnistinë
Prishtinë, 8 korrik - Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi Arben Gashi, kryetar, ka shqyrtuar katër projektligje, një kërkesë dhe një propozim.
Fillimisht, komisioni futi në rend dite shqyrtimin në parim të Projektligjit për amnisti, për të cilin u zhvilluan diskutimet kryesore.
Nga shumica e anëtarëve të komisionit, ky projektligj u konsiderua i nevojshëm, si mjet për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e qytetarëve të asaj pjese në institucionet e shtetit të Kosovës. Nga deputetët u vlerësua si pozitive heqja e nenit 3 nga ana e qeverisë, nga versioni i parë i projektligjit.
Pati, gjithashtu, edhe mendime kundër miratimit të këtij projektligji, duke e cilësuar atë si cenim të sovranitetit të Kosovës, kundër drejtësisë dhe barazisë.
Pas diskutimeve, komisioni përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij në parim.
Në vazhdim, u shqyrtua raporti me amendamente i komisionit funksional për Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Komisioni procedoi në komisionin funksional tri amendamente për këtë projektligj.
Komisioni, gjithashtu, përkrahu raportin me rekomandime të Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale,
dhe atë për Projektligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116.
Nuk u përkrah, ndërkaq, propozim-amendamenti kushtetues, i propozuar nga deputeti Amir Ahmeti, duke vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet formale -juridike për procedim.
Sa i përket kërkesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës për interpretim të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, komisioni vlerësoi se kjo çështje nuk bie në fushëveprimin e tij.