19 Janar 2025

Komisioni për Buxhet dhe Financa shqyrton tri projektligje

Prishtinë, 27 prill -  Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani, shqyrtoi tri projektligje me amendamentet e komisioneve funksionale dhe katër raporte vjetore financiare të agjencive të pavarura për vitin 2015.

Gjatë shqyrtimit të  Projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, si dhe amendamentet e Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari dhe  Zhvillim Rural, lidhur me këtë Projektligj, kryetari i komisionit vlerësoi se projektligji në përmbajtjen e tij, nuk rregullon mirë çështjet financiare dhe buxhetore, andaj, tha ai, në këtë aspekt ka nevojë për një rishikim të tij, si dhe të amendamenteve të komisionit funksional.

Zëvendësministri i Ministrisë së  Financave, z. Agim Krasniqi, ndërkaq,  sqaroi se kostoja shtesë e projektligjit është më e lartë se sa që  janë bërë vlerësimet fillestare.  Pas diskutimeve dhe propozimeve, Komisioni caktoi grupin punues, i cili do ta analizojë projektligjin dhe amendamentet e komisionit funksional në aspektin buxhetore dhe financiar dhe do të përgatisë raportin me rekomandime për komisionin.

Komisioni në vazhdim shqyrtoi Projektligjin për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër   Korrupsionit, si dhe Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Pas debatit lidhur me këto projektligje, komisioni  propozoi që ato të procedohen  tutje, me rekomandimin për miratim në Kuvend.

Më pas, Komisioni shqyrtoi Raportin vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2015, të cilin e prezantoi drejtori i përgjithshëm i AAC-së z. Dritan Gjonbalaj, Raportin vjetor financiar të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2015, prezantuar nga z. Bekim Ginolli, kryesues i Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, Raportin vjetor financiar të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës për vitin 2015, të cilin e prezantoi z. Idriz Blakaj, drejtor i Agjencisë, si dhe Raportin vjetor financiar të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2015, që e prezantoi mbikëqyrësi kryesor Shtetëror i Agjencisë, z. Ruzhdi Jashari.

Komisioni i përkrahu këto raporte, me  rekomandimin për miratim në Kuvend. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)