KOMF: Investoni në fëmijët!
Prishtinë, 1 qershor - Sot, është 1 qershori, Dita Botërore e Fëmijëve, ditë kjo e cila nuk është thjesht një rast për të festuar për fëmijët, por për të sjellë edhe ndërgjegjësimin për nevojën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të fëmijëve, nga e gjithë bota pa dallime, e sidomos atyre që janë të nënshtruar ndaj formave të ndryshme të dhunës, abuzimit, shkeljes së të drejtave të tyre, diskriminimit etj.
Pikërisht në këtë ditë, sot, iu drejtohemi fillimisht të gjithë fëmijëve duke iu uruar ditën botërore të tyre. Ndërsa, i bëjmë thirrje të posaçme të gjitha institucioneve publike pa dallim, e sidomos atyre që do të krijohen pas zgjedhjeve nacionale, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe të fillojnë njëherë e përgjithmonë ti marrin me prioritet fëmijët e Kosovës e në veçanti fëmijët në nevojë, të cilët varen nga dora e shtetit.
KOMF, është në dijeni për problemet dhe vështirësitë, me të cilat ballafaqohen institucionet publike si dhe duke pasur parasysh pozitën buxhetore, KOMF në vazhdimësi ka kërkuar edhe angazhimin e partive politike që synojnë qeverisjen e vendit për përmirësimin e gjendjes në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Ky angazhim kërkohet konform legjislacionit në fuqi, Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe instrumenteve tjera ndërkombëtare. Njëherit kemi ofruar tri argumente pse duhet të investohet në fëmijët:
Argumenti ekonomik: Përmes investimit në fëmijë do të krijohet fuqi punëtore më e shëndoshë dhe më e kualifikuar, që mund të kontribuoj më shumë në zhvillimin ekonomik, duke përvetësuar teknologjitë dhe shkathtësitë e reja konform nevojave të tregut;
Argumenti etik: Investimet në fushën e mbrojtjes së fëmijëve janë të domosdoshme për secilin vend që mbështet të drejtat e njeriut;
Argumenti politik: Investimet e pamjaftueshme sociale, pabarazia e theksuar dhe varfëria e lartë, pengojnë zhvillimin e një vendi dhe dëmtojnë kohezionin social të tij.
Duke pasur për bazë gjendjen aktuale të fëmijëve e sidomos fëmijëve në nevojë në Kosovë, KOMF sot bënë thirrje sërish që institucionet publike të angazhohen seriozisht në:
Hartimin e politikave për avancimin e mëtutjeshëm të kuadrit ligjor, krijimin e politikave adekuate nacionale, për të përmirësuar pozitën e të gjithë fëmijëve;
Ndarjen e mjeteve të nevojshme buxhetore në nivelin qendror dhe lokal për të bërë të mundur realizimin e programeve;
Fuqizimin e mekanizmave institucional për realizimin e të drejtave dhe mbrojtjen e fëmijëve si dhe njëkohësisht të fuqizohen mekanizmat për ndëshkimin e atyre që shkelin të drejtat e fëmijëve;
Hartimin e politikave që sigurojnë shërbime cilësore shëndetësore, përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit të posaçëm për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë trajtim adekuat jashtë shtetit;
Të investojnë seriozisht në rritjen e cilësisë së arsimit dhe të sigurohet zbatimi efikas dhe efektiv i të gjitha ligjeve dhe akteve tjera nënligjore, që rregullojnë gjithpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla;
Ti kushtojnë fokus të posaçëm mbrojtjes më të madhe sociale për të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale, përfshirë fëmijët e braktisur dhe fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar dhe të lënë pas dore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj.
Duke uruar se ditët tjera do të jenë më të mira për fëmijët në Kosovë, KOMF premton se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në avokimin për mbrojtje të zgjeruar sociale si pjesë e objektivit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për të ndihmuar dhe përmbushur nevojat e tyre bazë dhe për të zgjeruar mundësitë e tyre për të arritur potencialin e plotë.