KOMF dhe Avokati i Popullit nënshkruajnë marrëveshje
Prishtinë,4 prill - KOMF dhe Avokati i Popullit të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Kjo marrëveshje ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes të Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), me qëllim mbrojtjen, monitorimin, dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Fushat e bashkëpunimit do të jenë: Bashkëpunimi në zhvillimin e hulumtimeve, analizave dhe publikimeve të ndryshme lidhur me të drejtat e fëmijëve; Bashkëpunimi në monitorimin e situatës së respektimit dhe përmbushjes së të drejtave të fëmijëve nga institucionet publike dhe jo publike, në pajtim me legjislacionin në fuqi; Bashkëpunimi në referimin e rasteve të ndryshme te shkeljeve të të drejtave të fëmijëve dhe të mos-respektimit të procedurave gjatë menaxhimit të rasteve si dhe Avokimi i përbashkët për realizimin dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të fëmijëve, bazuar në hulumtimet, analizat apo raportet monitoruese.
Bashkëpunimi në mes të Avokatit të Popullit dhe KOMF do të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Avokatin e Popullit dhe rregulloret e dispozitat tjera përkatëse ligjore.