KOMF dërgon rekomandimet Kryeministrit
Prishtinë, 25 prill - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, njofton se sot me 25 prill 2016 përmes një dokumenti me propozime dhe rekomandime, i është drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Isa Mustafa lidhur me përcaktimin e buxhetit për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve i cili ndodhet në fazën finale të aprovimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës si dhe Krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale.
Konkretisht, rekomandimet kryesore të adresuara janë:
- Parashikimi dhe ndarja e buxhetit të nevojshëm në deklaratën financiare, për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, duke përfshirë përcaktimin e kostos së shërbimeve, parashikimin e burimeve njerëzore të mandatuara për zbatim të ligjit, përcaktimin e burimeve njerëzore përgjegjëse në nivel qendror për koordinim dhe monitorim të ligjit, në mënyrë që ky ligj të gjejë zbatim dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Republikën e Kosovës.
- Krijimi i një granti specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal - LFPL (i cili është në proces plotësim ndryshimi), grant ky i cili do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ky grant duhet të jetë krahas granteve për arsim dhe shëndetësi si grant specifik për shërbime sociale.
KOMF potencon se Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve pas aprovimit të tij do të mund të gjejë zbatim dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Republikën e Kosovës, nëse sigurohet kostoja buxhetore e nevojshme për zbatimin e tij. Të dhënat e fundit të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion, flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve 32.8 për qind në krahasim me 29.7 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme. 10.7 përqind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë përderisa 6.8 përqind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike.[1] Fëmijët me aftësi të kufizuara nuk i realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Rreth 1200 fëmijë janë pa përkujdesje prindërore, të strehuar tek të afërmit, strehim familjar apo strehim rezidencial. Numri i fëmijëve në konflikt me ligjin gjatë vitit 2015 të asistuara nga QPS-të ishte 595 fëmijë, kurse fëmijë me sjellje asociale ishin 99 fëmijë.[2]
Marrë parasysh rëndësinë e përcaktimit të kostos buxhetore të projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe rëndësinë e krijimit të grantit specifik për shërbimet sociale, në emër të përgjegjësive kushtetuese të Qeverisë dhe Kryeministrit z. Isa Mustafa, KOMF kërkon që të merren parasysh propozimet e bashkangjitura si në dokument. Nëse Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk i sigurohet buxheti i nevojshëm, atëherë do të cënohen rëndë të drejtat dhe mirëqenia e fëmijëve në Kosovë.
Në nëntor të vitit 2015, përmes një dokumenti me rekomandime dhe arsyetime, KOMF i ishte drejtuar edhe Ministrit të Financave, Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Komisionit për Shëndetësi dhe atij për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës, lidhur me propozim/rekomandimet e KOMF për krijimin e një granti specifik për shërbimet sociale.