Kolegji i Kirurgëve përshëndur kompletimin e institucioneve të Kosovës
Prishtinë, 6 prill - Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka përshëndur krijimin dhe kompletimin e institucioneve të Kosovës, si dhe uron udhëheqësinë e re për punën dhe detyrat e mëdha që e presin këtë qeveri dhe të gjithë neve.
Një nga sfidat kryesore me të cilat shteti i Kosovës duhet të merret është sektori i shëndetësisë, që është neglizhuar me dekada dhe gjendja e të cilit është rënduar edhe më tepër nga pandemia COVID-19.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës me më shumë se 850 anëtarë shpreh gatishmërinë e pakursyer që të bashkëpunojë dhe të ndihmojë drejt përmirësimit të gjendjes së sistemit shëndetësor në përgjithësi, dhe fushës së kirurgjisë në veçanti.
"Standardizimi i praktikës, protokollet e kujdesit kirurgjik dhe avancimi i agjendës klinike, shkencore dhe kërkimore të kirurgjisë në Kosovë, në mënyrë që të arrihen standardet botërore, janë prioritete të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe obligim i secilit prej nesh kudo që jemi", ka deklaruar Kolegji i Kirurgëve.