Koci i kërkon kryetarit Shpend Ahmeti të deklarohet për xhaminë
Prishtinë, 15 korrik - Avokati i njohur kosovar Arianit Koci ka kërkuar nga kryetari Shpend Ahmeti të deklarohet rreth ndërtimit të xhamisë në afërsi të Postës së Kosovës.
"As Shpend Ahmeti, as satelitët e tij, sbën të bëjnë lojëra të fëlliqura politike me objektin e pandërtuar të Xhamisë së Madhe. Kjo për shkak Kryetari i Prishtinës prej kohësh është duke tentuar të bllokojë ndërtimin e Xhamisë. Ska pasur guxim të dalë dhe ta sqarojë pozicionin", ka shkruar Koci në Facebook.
"Shpend Ahmeti, nëse është bash trim, nëse është bash i sinqertë, nëse është bash Kryetar i gjithë qytetarëve të Prishtinës, duhet të dalë e të sqarojë nëse do të lejojë apo jo ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë. E jo të luajë lojëra të fëlliqura", ka shkruar më tej avokati Koci.
Sipas tij, duhet njëherë e mirë të sqarohet kjo situatë e të mos u lihet në dorë e shije secilit që dëshiron të kundërshtojë një objekt të tillë.
Koci ka sqaruar se ai vetë është pro ndërtimit të xhamisë, me tërë qeniene tij, kudo dhe kurdo që ka konsensus nacional.
\"Por, nuk jam, që me rastin e kërkesës për ndërtimin e Xhamisë, të merret si shembull Katedralja. Madje, në rastet më radikale, të mohohet ndërtimi i Katedrales. Unë kam nevojë për Katedrale, njëjtë si kam nevojë për Xhami\", ka shkruar Koci, duke kërkuar të mos bëhen krahasime të papërshtatshme.
\"Mos ma mohoni, mua dhe shumë të tjerëve këtë të drejtë. Nuk është në traditën e shqiptarit një lojë e tillë e fëlliqur\", ka shkruar Koci.
Ndryshe, një grup qytetarësh kanë nisur sot iniciativën e një peticioni kundër ndërtimit të xhamisë në lagjen Dardania në Prishtinë.