18 Maj 2024

Koalicioni PDK - AAK, i mirë dhe i keq për Kosovën

Prishtinë, 23 korrik - Mundësia e krijimit të koalicionit në mes të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është komentuar të dielën edhe nga analistët politikë. Ata kanë shprehur qëndrime të ndryshme për këtë çështje.

Për analistin Milazim Krasniqi krijimi i koalicionit qeverisës në mes të PDK-së dhe AAK-së do të ishte i natyrshëm. “PDK - AAK ka qenë koalicioni qeverisës më i natyrshëm pas rezultateve të zgjedhjeve, mirëpo mospranimi nga ana e AAK-së, për të hyrë në këtë koalicion, ka qenë i pakuptimtë, në fakt e ka dëmtuar vetë AAK-në dhe fuqinë vepruese të qeverisë aktuale.

Kështu që, nëse do të ketë vullnet të dyanshëm nga këto dy parti dhe të krijohet ky koalicion, do të jetë pas një kohë të humbur dyvjeçare. Por, siç thotë ‘populli, ndoshta më mirë vonë se kurrë’”, ka thënë Krasniqi për “Epokën e re”.


Ai ka vlerësuar se ardhja në pushtet e AAK-së do ta forcojë qeverinë pasi kjo parti është më e konsoliduar dhe ka një lidership më unik për dallim nga AKR-ja. “Koalicioni PDK - AAK do ta bëjë më të fortë Qeverinë për shkak se AKR-ja edhe ashtu ka qenë një koalicion i disa partive të brishta, të cilat më shumë kanë pasur karakter klientelist në Qeveri sesa që kanë qenë me një zë unik dhe që ka zbatuar një program të caktuar.

Ndërsa me AAK-në Qeveria do të ishte më ndryshe, sepse AAK-ja është një parti më e konsoliduar dhe me një lidership më unik”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se me këtë koalicion do të kishte gjasa më shumë për të pasur një qeveri më të qëndrueshme dhe me një dinamikë më të madhe.

“Mendoj se do të ishte një koalicion më i qëndrueshëm, i cili do të kishte dinamikë më të madhe politike dhe qeverisëse. Një koalicion i tillë do të manifestonte aftësi më të madhe për t’i zgjidhur disa prej problemeve akute që ka shteti i Kosovës, veçmas ato që lidhen me veriun. Edhe pse nuk pres zgjidhje për veriun, as me këtë koalicion dhe me asnjë koalicion tjetër, sepse pas fitores së forcave ekstremiste në Serbi pritet të ketë ashpërsim të qëndrimit serb ndaj Kosovës. Pra, cilado qeveri që të jetë, do të ketë nevojë për partneritetin e BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve”, ka deklaruar Krasniqi.

Por, ndryshe nga Krasniqi, analisti në Institutin KIPRED, Ardian Arifaj, e sheh mundësinë e krijimit të një koalicioni në mes të PDK-së dhe AAK-së. Ai ka thënë se motivet për krijimin e një koalicioni të tillë nuk janë të partive politike, por të bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas Arifajt, BE-ja dhe në përgjithësi faktori ndërkombëtar është i interesuar ta krijojë koalicionin qeverisës në mes të PDK-së dhe AAK-së për motive kompromisi dhe një koalicion i tillë i formuar nga këto motive nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës. “Është shumë me rëndësi të kuptohet se nëse ndodh një koalicion i tillë, cilat janë motivet për krijimin e këtij koalicioni?

Motivet, pra, nuk janë vendore, por janë të bashkësisë ndërkombëtare, që të formohet një koalicion që do ta kishte më lehtë t’ia shesë opinionit publik një zgjidhje për veriun, që nuk është e mirë për Kosovën. Pra, është diçka që i kalon vijat e kuqe edhe të pakos së Ahtisarit dhe që do të nënkuptonte njëfarë autonomie speciale për veriun që nuk është zgjidhje aspak e mirë për Kosovën. Pra, një koalicion i tillë, i formuar nga këto motive, nuk është i mirë për Kosovën dhe nuk do t’i sjellë asgjë të mirë Kosovës”, ka thënë Arifaj për “Kosovapress”.

Ditët e fundit zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së, të paktën me deklarimet e tyre, kanë lënë të nënkuptohet se në të ardhmen mund të krijohet një koalicion qeverisës i përbashkët. (Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)