Koalicioni pa vota për EULEX-in
Prishtinë, 17 qershor - Koalicioni qeverisës, PDK-LDK-minoritetet, nuk arriti ti mbajë deputetët në sallë për të vazhduar debatin për dy projektligjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Kështu kur u erdhi rendi këtyre pikave për tu trajtuar, nuk kishte kuorum për vazhdimin e seancës. Kuvendi do të vendosë sot për këtë çështje
Mungesa e kuorumit në seancën e së enjtes të Parlamentit të Kosovës ka bërë që çështja e vazhdimit të mandatit të EULEX-it të shtyhet për të premten, shkruan Zëri.
Kështu koalicioni qeverisës nuk ka arritur ti mbajë dje deputetët në sallë për ta trajtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me BE-në për vazhdimin e Mandatit të EULEX-it dhe të Projektligjin për Ndryshimin e Ligjeve të nevojshme për këtë Marrëveshje.
Këto projektligje janë futur në rend dite në procedura të përshpejtuara, pasi EULEX-i ka më shumë se dy ditë që i ka përfunduar mandati.
Ndërsa, në bazë të marrëveshjes së institucioneve të Kosovës dhe atyre të BE-së, si dhe të Projektligjit për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it, ky mision do të ketë mundësi që të hapë raste të reja në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse çështja e krimeve të luftës mund të kalojë në kompetencë të Gjykatës Speciale.
/Zëri/