Koalicioni forcon zaptimin
Prishtinë, 2 qershor - \"Ky koalicion po e mbron status kuon me shprehitë e tyre të vjetra, që tregohet me vetë faktin se nuk kemi pasur aktakuza të ndonjë rasti korruptiv të profilit të lartë prej kur e kanë marrë pushtetin. Të dy partitë mos të harrojmë se edhe në koalicionin PDK-LDK 2007-2010 kanë filluar ta zaptojnë dhe shtrijnë ndikimin në sistemin e drejtësisë në Kosovë\", tha Ariana Qosaj-Mustafa nga KIPRED-i
Për 6 muaj të qeverisjes Mustafa në koalicion me PDK-në, akoma nuk është parë asnjë sinjal serioz se ekzekutivi i ri do të ketë një qasje më të mirë, të ndryshme nga qeverisja e keqe, e inkriminuar që e ka instaluar PDK-ja në mandatin \'Thaçi 1 dhe 2\'. Tanimë kjo është një bindje edhe te zyrtarët e LDK-së, që dikur i besuan Isa Mustafës në premtimet se do të qeverisë me duar të pastra.
\"Unë nuk shoh mundësi që seriozisht të ndryshojë mënyra e qeverisjes dhe çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit, kur e gjithë struktura e kriminalizuar dhe e korruptuar është aty brenda.\"
\"E palogjikshme është që krimi, korrupsioni dhe keqqeverisja të çrrënjosen kur i ke të gjitha këto brenda dhe këta aktorë i trajton si partnerë në qeverisje. Prandaj edhe nuk vërejmë asnjë përpjekje për luftimin e krimit dhe korrupsionit, pothuajse është ruajtur status-kuoja në këtë aspekt\", tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj për \'Kosova Sot\'.
Ai ka pohuar se nisur nga këto fakte edhe e ka kundërshtuar ashpër që nga fillimi këtë koalicion. \"Nuk mund të qeverisësh me të këqijtë e të thuash po qeverisi mirë\", tha Adem Salihaj për \'Kosova Sot\'.
/\'Kosova Sot\'/