15 Janar 2025

KMDLNj: Zhbllokojeni situatën ose shkoni në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Prishtinë, 23 gusht - Më 24 gusht 2017 është paraparë që të mbahet  vazhdimi i seancës për formimin e institucioneve të Kosovës përkatësisht të zgjidhen organet drejtuese të Kuvendit për të vazhduar pastaj me zgjedhjen e kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit qeveritar.

Pas shumë refuzimeve , Koalicioni PAN ka propozuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet me 24 gusht 2017 ndërkaq edhe subjektet tjera politike si dhe koalicionet janë pajtuar me këtë propozim.

Në një situatë kur raporti i forcave parlamentare është 60 me 60 dhe kur asnjëra anë nuk e ka shumicën parlamentare , kemi një ngërç politik dhe paralizim të jetës institucionale me ç’rast kemi emërime dhe shkarkime që në rrethana normale nuk do të ndodhnin apo përpjekjet e fundit për sistemimin e militantëve partiakë  , para se të formohen institucionet.

Që situata të bëhet edhe më e komplikuar , e kemi një interpretim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014 me të cilin në mënyrë eksplicite thuhet se koalicioni parazgjedhor fitues apo subjekti fitues  e ka të drejtën e vetme të propozojë kryetarin e Kuvendit , se votimi bëhet në pako ( përjashtuar kandidatët e pakicave ), se të gjithë deputetët janë të detyruar të jenë të pranishëm në Kuvend dhe të votojnë për , kundër apo të abstenojnë dhe se pjesëmarrja e deputetëve në seancën konstituive nuk është çështje e vullnetit të tyre por detyrim kushtetues.

LV dhe LAA po e kushtëzojnë votimin për kryetar të Kuvendit me emrin e një kandidati që atyre u përshtatet që nuk ka asnjë kuptim sepse po krijohet një mjedis shantazhues të cilin nuk do ta pranojë kkoalicioni PAN sikur që as LV dhe LAA nuk do të pranonin kushtëzime nga koalicioni PAN për kandidatët e tyre për kryeministër apo kabinet qeveritar nëse do të ishin në situatë që t’i propozonin.

Mospjesëmarrja në seancat konstituive dhe shantazhimi si formë e realizimit të qëllimeve politike janë të papranueshme , e dëmtojnë rëndë interesin e qytetarëve sikur që bëjnë edhe më jofunksional shtetin e Kosovës duke ia mohuar formimin e institucioneve të Kosovës. KMDLNj thërret  deputetët e Kuvendit të Kosovës  të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive , të përmbushin detyrimin kushtetues duke votuar sipas vullnetit të tyre gjithnjë duke pasur parasysh interesin e qytetarit e që janë votues të tyre si dhe interesin e shtetit të Kosovës .

Deputetët duhet të ngrihen mbi intereset e tyre personale , partiake dhe politike dhe të kontribuojnë në zhbllokimin e jetës institucionale dhe ky zhbllokim duhet të bëhet me një marrëveshje politike , pavarësisht se kush do të jenë palë të marrëveshjes . Koalicionit PAN , si fitues i zgjedhjeve të fundit i takon kryetari i Kuvendit dhe përpjekja e parë për formimin e qeverisë e që nuk nënkupton që procesi mund të zvarritet deri në pafundësi sikur që LV dhe LAA duhet ta kenë të qartë se nuk mund të bëhet asnjë veprim drejt formimit të qeverisë pa u zgjedhur organet drejtuese të Kuvendit dhe se nuk kanë asnjë të drejtë që , duke përdorur shantazhin , si mjet politik , të pengojnë zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit duke bllokuar proceset tjera.

Në këtë situatë kur kemi një rezultat 60 me 60 dhe kur nuk ka gatishmëri dhe vullnet për zhbllokim të procesit me ç’rast deputetët e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm e dëmtojnë Buxhetin e Kosovës duke marrë paga të majme për punën që nuk e bëjnë apo e bëjnë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës , në mungesë të një marrëveshjeje politike  dhe për shkak se po dhunohet vullneti i votuesit që i ka votuar për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës , Presidenti i Kosovës duhet t’u japë një afat kohorë  ( jo më shumë se një javë ) që të arrihet një pajtim për formimin e institucioneve , në të kundërtën duhet ta shpërndaj këtë Kuvend që shpërdoron votën dhe buxhetin e Kosovës duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme .

Edhe ashtu  , disa subjekte politike  , ngërçin politik që vet e kanë krijuar po e keqpërdorin për të provokuar zgjedhje të reja . Është përgjegjësi kushtetuese e Presidentit të Kosovës ta ndërpresë këtë lojë të pandershme të subjekteve politike duke ofruar zgjidhje dhe duke e kursyer qytetarin e Kosovës nga terrorizimi psikik që ndaj tyre po e bëjnë politikanët e papërgjegjshëm.

Demokracia ka rregulla që duhet të vlejnë për të gjithë , pa dallime politike , partiake , etnike , statusit social dhe material dhe , keqpërdorimi i demokracisë çon drejt anarkisë e cila duket se i përshtatet individëve të caktuar apo grupeve të interesit .

KMDLNj kërkon gjithashtu që pas formimit të institucioneve funksionale , të rishqyrtohen të gjitha emërimet dhe shkarkimet në poste ekzektutive apo potita tjera të larta sepse është favorizuar “ kualifikimi “ politik dhe është dhunuar profesionalizmi që do të duhej të ishte kriteri themelor për emërime apo shkarkime.

KMDLNj thërret deputetët e Kosovës të kontribuojnë në zhbllokimin e situatës dhe funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës. Në të kundërtën do ta bartin përgjegjësinë njerëzore , morale , politike dhe ligjore për bllokimin institucional dhe dëmet që po u bëhet ( pa fajin e qytetarit ) , shtetit të Kosovës të cilin  duket se nuk janë , as të përgatitur e as të vullnetshëm ta përfaqësojnë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)