22 Janar 2025

KMDLNj thërret për mbarëvajtje të punës së Kuvendit të Kosovës!

Prishtinë, 30 shtator - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë me shqetësim po përcjell zhvillimet rreth punës së Kuvendit të Kosovës me ç’ rast  u ndërpre seanca e fundit, pasi opozita nuk u pajtua me raportimin e kryeministrit të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel duke kërkuar tani tërheqjen e nënshkrimit nga këto marrëveshje , si kusht për vazhdimin e punës së Kuvendit.

Në të kundërtën, deputetët e opozitës paralajmëruan vazhdimin e bllokimit të punës, deri në tërheqjen e nënshkrimeve.

Në seancën e fundit, disa deputetë të opozitës hodhën vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij , Hashim Thaçi, si shprehje të pakënaqësisë për nënshkrimin e marrëveshjeve.

Sipas KMDLNj-së, hedhja e vezëve nuk kishte për qëllim goditjen e kryeministrit Mustafa e as të ministrit Thaçi dhe përveç një pamjeje dhe situate jo të hijshme, ishte në suaza të veprimeve demokratike në ndërkohë që çështja e vezëve mori përmasa jashtë një konteksti normal duke e cilësuar si dhunë e në fakt nuk mund të llogaritej si e tillë.

Ndërprerja e seancës dhe paralajmërimi për bllokim të seancave të radhës paraqet rrezik për bllokim të jetës institucionale në Kosovë dhe si e tillë është e papranueshme shkaku se qytetarët (votuesit e këtyre deputetëve) e pësojnë më së shumti.

KMDLNj , përkujton pozitën se për çështje të rëndësishme për shtetin, numri i votave në Kuvend përballë opozitës bëhet çështje relative dhe pa një konsensus të pozitës dhe opozitës , asnjë marrëveshje nuk duhet të arrihet.

Pozita nuk ka demonstruar gatishmëri për bashkëpunim me opozitën, ka munguar transparenca e plotë (në rastin konkret edhe opozita si dhe pozita nuk janë informuar në tërësi për rrjedhën e bisedimeve) dhe për pasojë e kemi një opozitë të përjashtuar në proceset vendimmarrëse të rëndësishme për shtet.

Veprimet opozitare në këtë kontekst KMDLNj i konsideron si të vonuara andaj edhe ka ardhur deri te përshkallëzimi i situatës. Kosova është një republikë parlamentare andaj si e tillë i obligon deputetët (të pozitës dhe opozitës) të sillen në përputhje me demokracinë parlamentare ku konsensusi i pozitës dhe opozitës do të ishte mbi arrogancën e numrave të ulëseve në Kuvend , aq më parë kur dihet se si votohet në Kuvend kur imponimi është mbi vullnetin e deputetit dhe demokracinë.

Deputetët janë përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të atyre që i kanë votuar (por edhe të atyre që nuk i kanë votuar) andaj duhet të sillen dhe veprojnë në përputhje me këtë mandat që e kanë fituar, si përfaqësues të popullit.

KMDLNj nuk e sheh si zgjidhje bllokimin e punës së Kuvendit andaj kërkon një konsensus midis pozitës dhe opozitës për tejkalimin e situatës.

Në mungesë të vullnetit për bashkëpunim pozitë-opozitë, KMDLNj kërkon nga presidentja e Kosovës të ushtrojë autoritetin që i garanton Kushtetuta e Kosovës për tejkalimin e situatës, qoftë përmes përpjekjeve për ndërmjetësim , si mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë, qoftë përmes bërjes me dije palëve të konfrontuara se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të situatës së krijuar.

KMDLNj vlerëson se çdo përpjekje për zgjidhje të situatës përmes përdorimit të forcës (policisë) në ç’ bllokimin e situatës vetëm sa do të kontribuojë në përshkallëzimin e  situatës me rrezik potencial që dhuna të bartet në rrugë e që nuk është interes i askujt dhe beson se nuk do të ndodhë ky veprim.

KMDLNj propozon që për aq kohë sa puna e Kuvendit të mbahet e bllokuar deputetët nuk duhet të paguhen nga Buxheti i Kosovës për mos punë e as të mos i gëzojnë privilegjet tjera.

Përveç se janë përfaqësues të popullit, deputetët e Kosovës, Kuvendit e kanë si vend pune dhe si të tillë duhet ta respektojnë. KMDLNj, gjithashtu e thekson se marrëveshjet me karakter ndërkombëtarë duhet ta kalojnë procedurën e ratifikimit në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm pas këtij procesi mund të llogariten si të pranueshme.

KMDLNj thërret deputetët e pozitës dhe opozitës të sillen në përputhje me rregulltat e përcaktuara, kodeksin moral dhe njëkohësisht kërkon nga kryetari i Kuvendit dhe kryesia ta përjashtojnë ndërhyrjen e policisë, si mënyrë e tejkalimit të situatës dhe në vend të saj të krijojnë një hapësirë demokratike , ku asnjëra palë nuk do të konsiderohej si humbëse apo fituese.       

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)