KMDLNj: Të zgjidhet sa më parë Avokati i Popullit
Prishtinë, 11 mars - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut , me ftesë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për postin e Avokatit të Popullit , që nga mbledhja e parë e këtij Paneli deri me ditën kur janë zyrtarizuar emrat e kandidatëve që do të dërgohen në njërën nga seancat e radhës së Kuvendit për votim.
Me datën 20 shkurt Paneli rekrutues, i udhëhequr nga Lirie Kajtazi (GP - LDK), kryesuese , Salihe Mustafa (GP - PDK), anëtare, Mytaher Haskuka (GP - LVV) anëtar, Teuta Haxhiu (GP - AAK) anëtare, Valdete Bajrami (GP - Nisma) anëtare dhe Kujtim Paçaku (GP 6+) anëtar, (ka munguar Sllavko Simic, (GP LS) i cili u formua bazuar në nenin 3 të Rregullores për Zgjedhjen dhe Shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe të Zëvendësve të Avokatit të Popullit nr. 04-V-049 , shqyrtoi regjistrin e aplikacioneve të pranuara për Avokat të Popullit e përgatitur nga Administrata e Kuvendit, Drejtoria e Personelit.
Shqyrtimi i aplikacioneve është bërë sipas regjistrit dhe datës së aplikimit. Paneli rekrutues pas verifikimit të detajuar të aplikacioneve konstatoi se të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për postin e Avokatit të Popullit i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs prandaj vendosi që të gjithë kandidatët (21) të thirren për intervistim duke e caktuar si datë të mundshme 2 dhe 3 marsin. Paneli intervistues pastaj, gjithashtu vendosi që intervistimi të bëhej mundësisht brenda një dite në mënyrë që të gjithë kandidatët të trajtohen njëjtë dhe pa u diskriminuar.
U vendos që intervistimi të zgjasë nga 20 minuta për çdo kandidat dhe se pyetjen e parë (të përgjithshme) ta bëjë kryetarja e Panelit ndërsa pyetjes specifike do ti bënin anëtarët e tjerë të Panelit. Gjithashtu , u vendos se pyetjet e anëtarëve të Panelit ti dorëzohen kryetares së Panelit para fillimit të intervistimit.
Në këtë mbledhje monitoruesit patën mundësi të kenë qasje në të gjitha dokumentet që i kishin edhe anëtarët e Panelit. Monitoruesve iu dorëzuan nga Administrata e Kuvendit: vendimi për formimin e Panelit, Konkursi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Regjistrimi i Aplikacioneve të pranuara, Ligji për Avokatin e Popullit si dhe Rregullorja për Zgjedhjen dhe Shkarkimin e Avokatit të Popullit. Monitoruesi i KMDLNj-së konstaton se kjo mbledhje ka qenë në përputhje me procedurat dhe se nuk ka pasur lëshim apo shkelje që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit apo që ka diskriminuar ndonjë kandidat.
Procesi i intervistimit:
Procesi i intervistimit ka filluar në orën 9:15 dhe është zhvilluar sipas skenarit të paraparë. Paraprakisht monitoruesit janë furnizuar me materiale në mënyrë që të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre siç janë: Të dhënat e aplikantëve për Avokat të Popullit, Orari i intervistimeve për Avokat të Popullit, Formulari 1: Vlerësimi i aplikantëve, Formulari 2: Mbledhja e rezultateve, Formulari 3: Rezultatet përfundimtare dhe deklarata ku aplikantët nënshkruhen se: nuk ushtrojnë funksion në parti politike, nuk janë deputetë në legjislaturën e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e zgjedhë apo anëtar i kabinetit qeveritarë.
Intervistomi është bërë sipas orarit dhe renditjes që Paneli rekrutues e ka përgatit më parë.
Nga 21 kandidatë që kanë aplikuar për Avokat të Popullit janë intervistuar 19-të pasi dy kandidatë kanë hequr dorë nga intervistimi. Të gjithë kandidatët janë intervistuar brenda një dite. Kohëzgjatja e intervistimit ka qenë nga 9 minuta deri në 20 minuta (vetëm njëri kandidat ka shfrytëzuar 20 minuta për intervistim). Për intervistimin e 19 kanditatëve janë shpenzuar 270 minuata ( 4.5 orë) e që për një kandidat i bie 14 minuta e 21 sekonda..
KMDLNj thekson se edhe gjatë procesit të intervistimit ka munguar përfaqësuesi i Listës Srpska.
Të gjithë të intervistuarit janë përgjigjur në gjuhën e tyre amtare apo në gjuhën që janë përcaktuar. Gjatë tërë kohës së intervistimit ka qenë i siguruar përkthimi.
Gjithashtu vlen të theksohet se pas intervistimit, kryetarja e Panelit, çdo kandidati i ka shtruar pyetjen nëse ka diçka për të shtuar e që nuk e ka thënë gjatë intervistimit. Të gjithë kandidatëve u është dhënë mundësia shtesë.
Vërejtja e KMDLNj-së është se të gjithë anëtarët e Panelit intervistues është dashur tua shtrojnë pyetjet kandidatëve për Avokat të Popullit e jo të mjaftohen me përgjigjet që ua kanë dhënë disa anëtarëve të Panelit e ku janë përfshirë edhe përgjigjet në pyetjet eventuale që nuk ua kanë parashtruar.
Arsyetimi i anëtarëve të Panelit ka qenë se nuk e kanë parë të arsyeshme të parashtrojnë pyetjen kur e kanë marrë përgjigjen më herët. Pas përfundimit të intervistimit është bërë vlerësimi i kandidatëve nga anëtarët e Panelit.
Vlerësimi është bërë në mënyrë korrekte dhe nuk ka pasur ndërhyrje apo ndikim midis anëtarëve të Panelit gjatë vlerësimit. Fletët vlerësuese janë futur në kutinë e votimit dhe monitoruesit kanë pasur mundësi në mënyrë të papengueshme të përcjellin tërë procesin i cili ka qenë transparent dhe i rregullt.
Janë numëruar formularët e vlerësimit dhe me zë janë informuar të pranishmit se sa pikë ka fituar çdo kandidat nga anëtarët e Panelit intervistues pas së cilave janë dhënë rezultatet përfundimtare.
Në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren për Avokatit e Popullit, Paneli intervistues i ka dërguar katër (4) emra të kandidatëve që kanë fituar më së shumti pikë te Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione e që pastaj, në përputhje të këtij Ligji dhe Rregulloreje ti dërgohen tre (3) emra për votim në Kuvendin e Kosovës.
Me datën 9 mars 2015, në orën 14:00 në sallën N302 Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione ka arsyetuar vendimin për dërgimin e katër emrave duke prezentuar një raport analitik i cili ka qenë korrekt, si nga përmbajtja ashtu edhe nga vendimi i cili nuk mund të ishte ndryshe.
Është e qartë se Ligji për Avokatin e Popullit ( Ligji nr. 03/L-19) dhe Rregullorja për Zgjedhjen dhe Shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij ( Rregullorja 04-V-09) e përcaktojnë se pas intervistimit të kandidatëve Komisioni përpilon listën e ngushtë prej tre (3) kandidatëve të cilët pastaj i dërgohen Kuvendit për votim. Kjo vlen në rast se tre ( 3 ) kandidatë fitojnë pikët e nevojshme për kualifikim.
Gjithashtu , duhet të theksohet se as në Ligjin e as në Rregulloren për Avokatin e Popullit nuk jepen udhëzime e as zgjidhje se si duhet të veprohet në situatën në të cilën është gjetur Komisioni ( dy kandidatë janë kualifikuar në bazë të pikëve ndërsa dy kandidatë kanë fituar numër të njëjtë të pikëve) dhe është lënë në diskrecion të Komisionit për të marrë një vendim.
Sipas KMDLNj së, Komisioni ka marrë vendim të drejtë dhe ky ishte dhe është vendimi i vetëm i mundshëm për këtë situatë.
Çdo vendim tjetër do të përbënte shkelje të Ligjit dhe Rregullores për Avokatin e Popullit dhe do të ishte shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të kandidatëve që kanë hyrë në rrethin e ngushtë për votim në Kuvendin e Kosovës aq më parë që nuk janë paraparë mënyra të tjera (alternative) për të bërë përzgjedhjen e një kandidati, nga dy kandidatët me pikë të barabarta siç janë hedhja e shortit apo ri intervistomi i këtyre dy kandidatëve.
Për çdo vendim tjetër të Komisionit rasti do të përfundonte para gjykatës dhe eliminimi arbitrar ( në mungesë të zgjidhjes sipas Ligjit dhe Rregullores) do të ishte diskriminim flagrant.
Në përputhje me këtë, KMDLNj rekomandon kryetarin e Kuvendit dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ta pranojnë si të ligjshëm, të rregullt dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për mundësi të barabarta dhe trajtim jo diskriminues vendimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione që Kuvendit të Kosovës ti dërgohen për votim katër (4) emra që kanë fituar më së shumti pikë (dy nga ata kanë pikë të njëjta) në mënyrë që të mos vonohemi në zgjedhjen e Avokatit të Popullit aq më parë që në mesin e kandidatëve të përzgjedhur ka persona të kualifikuar që me kompetencë dhe profesionalizëm, me sukses do ta ushtronin postin e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu, si rekomandim shtesë, KMDLNj kërkon që të rregullohet (me një aneks apo nen shtesë) në rast të përsëritjes së situatës së ngjashme të bëhet një zgjidhje e mbështetur në Ligj dhe Rregullore.
KMDLNj kërkon gjithashtu të përcaktohen indikatorët matës dhe vlerësues për kushtin e konkursit: të ketë karakter, ndershmëri dhe moral të lartë i cili në kontekstin ekzistues është i paqartë , subjektiv dhe tejet përgjithësues.
Kriteri tjetër i cili duhet të sqarohet është ai të ketë eksperiencë dhe njohuri të dalluara në fushën e të drejtave të njeriut. Edhe për këtë KMDLNj nuk e ka të qartë a është ky kriter kusht që kandidati të ftohet në intervistë, kusht të eliminohet apo përparësi gjatë përzgjedhjes përfundimtare.
Dhe e fundit që është shumë e rëndësishme për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është kriteri: të mos ushtrojë funksion në parti politike, deputet në legjislaturën e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e zgjedhë atë apo mos të jetë anëtar i kabinetit qeveritar.
Ky kriter sipas KMDLNj-së përveç se është tejet konfuz gjithashtu është shumë i përgjithësuar dhe lë hapësirë për manipulime të shumta dhe përzgjedhjes së kandidatëve të politikës aq më parë që nuk është përcaktuar afati kohor i angazhimit politik të kandidatëve të mundshëm.
KMDLNj mendon se duhet të afatizohet dhe të thuhet qartë se: kandidati që konkurron për Avokat të Popullit në tri (3) vitet e fundit nuk duhet të ushtrojë funksion në parti politike, deputet në legjislaturën e Kuvendit të Kosovës (këtu bëjnë përjashtim kandidatët që kanë konkurruar dhe janë zgjedhur si të pavarur) dhe që nuk kanë qenë anëtarë të kabinetit qeveritar.
Me këto ndryshime të kritereve të konkursit për Avokat të Popullit, KMDLNj vlerëson se do të bëhej zgjidhja më e drejtë dhe më e kualifikuar e Avokatit të Popullit sikur edhe zëvendësve të tij.