KMDLNj: Të hetohen shpërdoruesit e faturave në KEDS!
Prishtinë, 10 janar - KMDLNj, për të satën herë është duke reaguar kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike me të cilat po përballen qytetarët e Prishtinës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi.
Fryrja e faturave po bëhet kryesisht në kohën e llogaritjes sipas tarifave dimërore kur po shkaktohet konfuzion (mbase i qëllimshëm) në mënyrë që të krijohet një mbulesë për plaçkitje flagrante që po u bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë faturimit për rrymën e shpenzuar e cila nuk është në përputhje me shpenzimet reale.
KMDLNj, në reagimet e mëparshme për opinionin por edhe në reagimet që i ka drejtuar te përgjegjësit e KEDS-it ka ofruar fakte ku për të njëjtin konsumator shuma e faturës është 12-të fishuar.
Nga shuma e muajit nëntor që ka qenë 300 për muajin dhjetor është bërë 3,680 euro. Si pasojë e fryrjeve të faturave ka pasur pakënaqësi të madhe të qytetarëve të Kosovës ndërsa në Prishtinë ka pasur protesta të qytetarëve.
Edhe Kuvendi i Kosovës ka diskutuar për këtë çështje duke formuar Komision Hetimor mirëpo kjo nuk ka ndihmuar që KEDS të bëhet më i përgjegjshëm gjatë faturimit të energjisë. Që paradoksi të jetë edhe më i madh, nga fryrja e faturave e pësojnë më së shumti kategoritë sociale të cilat nuk po janë në gjendje ti përballojnë këto fatura ndërsa po kursehen shpenzuesit e mëdhenj si Feronikeli dhe të tjerët që po kursehen, në dëm të konsumatorëve të varfëruar.
Arsyetimet e KEDS-it se nuk ka fryrje të faturave por se rryma humbë për shkak të rrjetit elektrik të vjetruar, ngritja e çmimit gjatë muajve të dimrit për shkak të rritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike, komplikimit të faturimit, mosleximit të rregullt të njehsorëve, gabimeve gjatë leximit të njehsorëve etj. nuk janë të qëndrueshme sepse fryrja e faturave ka filluar të bëhet rregull.
KMDLNj konsideron se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës, përkatësisht Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të ndërmarr veprime të menjëhershme për vendosjen e rendit në KEDS duke pamundësuar që KEDS, përmes plaçkitjes së vazhdueshme që u bënë qytetarëve të Kosovës të rrezikojë edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike e cila edhe ashtu është shumë e rëndë.
KMDLNj kundërshton fuqishëm që tarifat dimërore të llogariten në afatin 6 mujor si dhe kërkon të bëhet një çmim i njëjtë për të gjithë shpenzuesit e energjisë elektrike pavarësisht se a janë konsumues të mëdhenj apo të vegjël.
Faturat duhet të jenë të thjeshta dhe më të kuptueshme për qytetarë. Gjithashtu, KMDLNj kundërshtonqë të ketë shkyçje nga rrjeti për qytetarët që ankohen për fatura të fryra derisa vendimi të bëhet i formës së prerë.
KMDLNj i bënë thirrje Prokurorisë së Kosovës të bëjë hetime për rastet ku shuma në faturë është dhjetëfishuar dhe kur ato raste janë të përsëritura. Fryrja e faturave e që vazhdimit po përsëriten nuk mund të llogariten thjesht si gabim. Ky fenomen e tejkalon interesimin e OJQ-ve ngase bëhet rast kur duhet të veprojnë institucionet shtetërore. Në mënyrë të vendosura.