KMDLNJ ripërsërit kërkesën për shkarkimin e ministrit Pacolli
Për faktin se Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar me kohë dhe në përputhje me nevojat e kohës; KMDLNj e ripërsërit këtë kërkesë shkaku se shkarkimi i një ministri që ka dështuar në të gjitha fushat e prezantimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore në planin ndërkombëtar, është e vetmja mënyrë e këndelljes së kësaj ministrie dhe rikthim i besueshmërisë për Kosovë shkaku i joprofesionalizmit, mosdijes dhe politizimit negativ të kësaj ministrie, sidomos në përzgjedhjen e stafit diplomatik.
KMDLNj kërkon gjithashtu që të shkarkohet, jo vetëm ministri Rikalo por të gjithë ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës të cilët ekskluzivisht për shkaqe politike dhe sipas kërkesës së Serbisë, përkatësisht presidentit Vuçiq, me muaj të tërë e bojkotojnë punën në Qeverinë e Kosovës në ndërkohë që i shpërdorojnë të gjitha të drejtat që nuk iu takojnë , duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës duhet t’i thërras në takim duke iu dhënë një afat të caktuar kohor (jo më shumë se një muaj) dhe, pas kësaj , nëse nuk iu kthehen detyrimeve për çka edhe marrin paga të majme, duhet t’i shkarkojë.
Deri atëherë, kryeministri Haradinaj duhet , me një vendim të qeverisë t’ua pamundësojë këtyre ministrave të drejtën e disponimit të mjeteve nga buxheti i Kosovës; siç janë ndarja e granteve, subvencioneve apo çfarëdo forme të ndarjes së mjeteve, duhet t’ua pezullojë të drejtën e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare sikur edhe shfrytëziminin e të gjitha beneficioneve.
Nëse edhe më tutje këta ministra që botërisht deklarohen se presidenti i tyre është Vuçiq e jo Thaçi, vazhdojnë të shfrytëzojnë mjete në çfarëdo forme nga buxheti i Kosovës për mospunën apo sabotimin e punës në Qeveri , atëherë edhe Qeveria do të ketë përgjegjësi konkrete për këtë.
KMDLNj kërkon që presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, në bazë të përgjegjësive që ia njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat në veri të Kosovës, kryetarët e të cilëve, gjithashtu , për motive politike kanë dhënë dorëheqje.
Dorëheqjen e këtyre kryetarëve KMDLNj e konsideron të ligjshme dhe të parevokueshme prandaj çdo përpjekje për të mos shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme për këto komuna nga ana e presidentit të Kosovës e konsideron si shkelje të Kushtetutës së Kosovës për të cilën duhet të ketë përgjegjësi ligjore.
Për shkak të vazhdimit të politikës rrënuese dhe armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës ( letra të dërguara Shqipërisë dhe Maqedonisë për çnjohje), KMDLNj kërkon që masa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të mbetet në fuqi si dhe të shqyrtohen masa të tjera e që do të siguronin zbatimin e reciprocitetit 100% ndaj këtyre dy shteteve , deri në një situatë tjetër.
KMDLNj përkrah kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ulje të çmimeve të karburanteve si dhe kërkon që Prokuroria e Shtetit të nis hetimet për dëmtim të buxhetit të qytetarit përmes fryerjes së këtyre çmimeve.
Për fund, KMDLNj kërkon hetim ndaj KEDS – it shkaku se faturat për muajin e fundit janë 200 – 400% më të larta se në muajin paraprak , në kohën kur ka pasur reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
Është bërë si rregull nga KEDS që faturat e muajit dhjetor, në çdo vit, të fryhen në masë të së padurueshmes dhe për këtë askush nuk merret në përgjegjësi ndërsa e pëson qytetari – konsumatori që ende nuk është kompensuar për plaçkitjen thuaja 15 vjeçare nga ana e operatorëve për energji elektrike duke ua ngarkuar kundërligjshëm në fatura edhe shpenzimet e serbëve që nuk e kanë paguar dhe ende nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar elektrike.