KMDLNj monitoron procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit
Prishtinë, 21 shkurt - KMDLNj, së bashku me monitorues të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë vazhdon të monitorojë procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
KMDLNj ka qenë i pranishëm që nga fillimi në të gjitha takimet e Panelit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit i cili udhëhiqet nga znj. Suzana Novobërdaliu, kryetare e këtij Paneli dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore dhe gjatë anëtarë të tjerë të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës prej të cilëve dy anëtarë janë përfaqësues të komuniteteve.
Paneli për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka qenë shumë transparent me vëzhguesit duke iu ofruar të gjitha të dhënat e nevojshme të parapara me ligj dhe duke krijuar kushte të mira për monitorimin e këtij procesi.
Deri më tani, KMDLNj nuk ka asnjë vërejtje për kryetaren e këtij Paneli, znj. Suzana Novobërdaliu dhe anëtarët e këtij Paneli si dhe në stafin teknik. Për KMDLNj-në, si vëzhgues i procesit ka qenë me rëndësi krijimi i kushteve për monitorim nga ana e Panelit.
KMDLNj është njoftuar me kohë për të gjitha takimet dhe zhvillimet në këtë proces duke filluar nga përzgjedhja e kandidatëve për intervistim sipas kushteve të parapara me konkurs, trajnimit të Panelit nga një ekspert ndërkombëtar, konsultimeve për caktimin e datës së intervistimit, mënyrës së intervistimit dhe mënyrës së votimit.
KMDLNj, gjatë tërë kohës së intervistimit ka qenë i pranishëm dhe nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi apo shmangie nga procedura, diskriminim apo favorizim të ndonjë kandidati.
Të gjithë kandidatët kanë pasur pyetjet e njëjta dhe kohë të mjaftueshme për tu përgjigjur. Kryesuesja e Panelit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe anëtarët e Panelit kanë qenë shumë korrekt me kandidatët gjatë intervistimit duke u krijuar mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët.
Votimi ka qenë i fshehtë dhe as aty nuk ka pasur manipulime apo marrëveshje paraprake.
Fletët me vlerësim të kandidatëve janë hedhur në kutin e votimit në prani të monitoruesve. Kutia e votimit është hapur gjithashtu në prani të monitoruesve dhe çdo fletë e vlerësimit, pasi janë mbledhur pikët e vlerësimit u janë treguar monitoruesve.
Procedura ka qenë shumë transparente falë korrektësisë së anëtarëve të Panelit dhe Kryesueses së këtij Paneli.
Kësaj radhe, sipas KMDLNj-së së paku 6 kandidatë kanë qenë kandidatë shumë serioz për pozitën e Avokatit të Popullit që paraqet një cilësi të re krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
KMDLNj shpreson se Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore do ta pranojë listën me kandidatë të propozuar nga Paneli intervistues pas së cilës do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do të votohen në afat të paraparë në Kuvendin e Kosovës.
KMDLNj shpreson se Avokati i Popullit do të zgjidhet me kohë dhe se nuk do të ketë stërzgjatje të panevojshme të procesit.