KMDLNj: Ministrat e Qeverisë së Kosovës, me shpatë në duar!
Ministri i MASHT –it, Bytyqi, ende pa e nxerë mirë karriken, e shkarkoi Komisionin Kombëtar për Cilësi dhe Akreditim me një arsyetim të përgjithësuar dhe aspak bindës e që pastaj emëroi një komision tjetër i cili ende nuk ka dëshmuar se është më cilësorë se ai paraprak dhe se e ka merituar të “akreditohet” nga ministri i MASHT-it.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po tregon muskuj dhe po premton gjëra që nuk i kanë realizuar , së bashku të gjithë ministrat e Drejtësisë të qeverive të mëparshme e që lehtësisht mund të përfundojë në një ëndërr të një nate vjeshte, pa e përmbushur as 10-20% e premtimeve.
KMDLNj konsideron se bëri mirë që ndau mjetet për “rastin Dehari”, siguroi mjete për një shkollë në Luginën e Preshevës e që nuk është nën përgjegjësinë e tij, e emëroi kryeprokurorin e shtetit, Lumezi në krye të komisionit për Jurisprudencë në kohën ku pikërisht provimi i Jurispodencës e ka vënë kryeprokurorin para problemeve të mëdha , për ta pezulluar këtë emërim , deri në përfundim të hetimeve të cilat , pa asnjë dyshim , do ta nxjerrin z. Lumezi të pafajshëm dhe këtë gjë e ka shumë të qartë edhe z. Tahiri, ministër i Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë sipas KMDLNj-se duhet t’i shtyjë para ligjet që e dekriminalizojnë skenën politike të Kosovës, qoftë përmes një modeli të Vetingut apo Ligjit për Lustracionin e Figurave Publike sikur që duhet të vendosë rregull në Shërbimin Korrektues të Kosovës, duke i eliminuar emërimet politike dhe partiake dhe duke e afirmuar profesionalizmin , para servilizmit.
Ministri i Diasporës, zDardan Gashi e shkarkoi me një procedurë të përshpejtuar sekretarin Osman Shahini, me arsyetim se ka një performancë të dobët shkaku se, sipas sekretarit Shahini blerja e një telefoni mbi 1000 euro për z. Gashi ka dal të jetë performim i dështuar. Ka qenë një kohë shumë e shkurtër të matet performanca e sekretarit Shahini sikur që është kohë gjithashtu e shkurtër të matet performanca e ministri të Diasporës, z. Dardan Gashi.
Së fundi, mund edhe të mos jetë i fundit, Ministri për Punë të Brendshme, Flamur Sefaj, sipas KMDLNj-se bëri ndërhyrje flagrante në punën dhe pavarësinë e Inspektoriatit Policor të Kosovës duke e pezulluar përzgjedhjen e 16 inspektorëve të IPK –së , sipas tij për , shkak të ankesave të atyre që nuk janë pranuar duke ndërhyrë gjithashtu edhe në punë e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës që ka kompetencë ekskluzive shqyrtimin e ankesave, vendimi i të cilës është detyrues për institucionet e Kosovës e që në shumë raste nuk e përfillin, si edhe ndërhyrje në punët e gjykatave, si autoritet i vetëm për zgjedhje të kontesteve të tilla.
"Në këtë mënyrë, z. Sefaj e futi Inspektoriatin e Policor të Kosovës në kontest me 16 inspektorë të zgjedhur sipas konkursit dhe të cilët në çdo përballje gjyqësore do të fitojnë rastin e kjo do t’i kushtojë mjete Buxhetit të Kosovës", thekson KMDLNk.
KMDLNj , pret nga kryeministri Haradinaj , i cili deri më tani ka menaxhuar me sukses disa raste siç janë veteranët e luftës, viktimat e dhunës seksuale të luftës, rasti i Kumanovës e sidomos pritja e familjes Dehari si dhe premtimi se do të trajtohet kërkesa e familjes Dehari në përputhje me kërkesën e familjes Dehari , të jetë shumë i vëmendshëm në veprimet e ministrave të kabinetit qeveritar që e drejton, në të kundërtën do të bëhet pjesë e përgjegjësisë për veprimet dhe vendimet e ministrave.
"Së paku që mund dhe duhet ta bëjë është t’ua marrë nga duart shpatën ministrave tjerë që të mos prejnë koka të tjera dhe t’i shqyrtojë vendimet e deritashme nëse janë në përputhje me ligjin dhe kompetencat që i kanë ministrat e kabinetit qeveritarë e të cilat nuk janë të pakufij", thuhet ne reagimin e KMDLNj-se.