KMDLNJ kërkon hapësirë për mjete të informimit në Kuvend
Prishtinë, 22 dhjetor - Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) u takuan me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi për të shprehur shqetësimet për kushtet e reja që janë vendosur për gazetarë të mediave elektronike dhe të shkruara që e përcjellin punën e Kuvendit të Kosovës.
KMDLNJ konstaton se deri më tani gazetarët kanë pasur kushte dhe mundësi që papengueshëm, në kuadër të kushteve ekzistuese të kryejnë punët e tyre. Kryetari, Kryesia e Kuvendit, shefat e grupeve parlamentare si dhe deputetet kanë qenë transparent dhe të gatshëm për bashkëpunim me gazetarët e të gjitha mediave.
Mirëpo, nga kjo javë gazetarët janë zhvendosur në një hapësirë tjetër (në hyrje të Kuvendit) e cila nuk i plotëson kushtet as teknike, as sa i përket hapësirës dhe as praktike prandaj dukshëm i kufizon mundësitë që gazetarët ti kryejnë punët e tyre.
Këtë kufizim të hapësirës dhe zhvendosjes të lokacionit që e dëmton punën e gazetarëve, Kuvendi e arsyeton se po e zbaton një rregullore e cila është në fuqi e që nuk është zbatuar më parë.
Gjithashtu, gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, KMDLNJ u informua se kjo masë është ndërmarrë shkaku se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për deputetët dhe në asnjë mënyrë për ta penguar punën e gazetarëve.
KMDLNJ vlerëson transparencën e Kryetarit, Kryesisë së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve si dhe gatishmërinë për bashkëpunim, mirëpo insiston që gazetarëve tu krijohen kushtet e nevojshme për punë në mënyrë që opinioni të informohet objektivisht për punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Hapësira aktuale për gazetarë është e pamjaftueshme në të gjitha aspektet andaj sa më shpejtë që të jetë e mundur duhet zhvendosur nga aty.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi premtoi se do të bëjë përpjekje që të krijohen kushte më të mira për punë edhe për gazetarë edhe për deputetët, që nga janari i vitit 2012.
KMDLNJ do të angazhohet edhe në të ardhmen që gazetarët të kenë kushte normale për punë në Kuvendin e Kosovës sikur që do të organizohet edhe për deputetët që edhe ata të kenë kushte për ushtrimin e punës së tyre. Nëse nuk do të ketë ndryshime , KMDLNJ konsideron se gazetarëve u shkelen të drejtat elementare të njeriut duke ua pamundësuar punën e tyre!, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.