20 Janar 2025

KMDLNj fton subjektet politike të bëjnë fushatë të qetë

Prishtinë, 21 maj - Ndonëse zyrtarisht ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, të gjitha subjektet politike dhe pa përjashtim po e bëjnë fushatën në mënyrën si atyre u përshtatet dhe vlerësimeve se si mund të fitojnë më lehtë vota.

Deri më tani nuk ka pasur tensione që do të rrezikonin eventualisht fushatën, zgjedhjet si dhe pranimin e rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014.

KMDLNj, si monitoruese e zgjedhjeve të mëparshme (katër zgjedhjeve të para pas përfundimit të luftës) është shqetësuar për shkak të një fushate denigruese, diskualifikuese, paragjykuese dhe me qëllim të ndikohet në rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve duke favorizuar një subjekt apo duke sulmuar subjektin tjetër që po e bëjnë disa media të shkruara dhe elektronike.

Kohëve të fundit është intensifikuar një fushatë mediale kundër kandidatit për kryeministër të Kosovës nga radhët e LDK-së, z. Isa Mustafa me qëllim që të dëmtohet politikisht para zgjedhjeve të 8 qershorit 2014.

Pas aderimit të znj. Margarita Kadriu në radhët e PDK-së është intensifikuar fushata kundër saj me qëllim që të dëmtohet zonja Kadriu dhe subjekti i saj.

Gjithashtu , është një fushatë mediale kundër PDK-së (udhëheqësve më të lartë të kësaj partie në krye me kryeministrin Thaçi e sidomos kundër ish udhëheqësve të SHIK-ut (Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Latif Gashi etj.) me qëllim të qartë të dëmtohen para zgjedhjeve dhe të ndikohet në rezultatin e zgjedhjeve.

Edhe ndaj kandidatit të AKR-së për kryeministër z. Pacolli po bëhet një fushatë e cila, për momentin është e intensitetit të ulët sikur edhe për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
KMDLNj, konsideron se këto sulme apo fushata mediale po bëhen me qëllime të caktuara dhe janë të porositura.

Ndryshe, çka duhet të shkruhet për të kaluarën komuniste të Isa Mustafës kur të gjithë e dimë se Isa Mustafa nuk ka qenë anëtar i Ballit Kombëtar.

Apo, pse pikërisht në këtë kohë po bëhen publike e-mailat e znj. Margarita Kadriu me partnerët nga Serbia kur ata e-maila janë të vitit 2011. Apo rasti i lëndimit të punëtorit që ka punuar në kompaninë e zonjës Kadriu nëse për këtë rast e kemi vendimin e një gjykate.

Raporti i shërbimit sekret të NATO-s është raport i viteve të 2000-ta (2003-2004) dhe pse duhet të bëhet publik pikërisht tash, dy javë para zgjedhjeve.

Ndryshe si të kuptohet ftesa publike e disa medieve që të mos votohet për një subjekt politik pasi që qenka subjekt kriminal ndërsa udhëheqësit qenkan të inkriminuar në krimet më të rënda. A është kjo detyrë e mediave?

KMDLNj kërkon nga mediat të jenë të përmbajtura dhe të mos kontribuojnë në tensionimin e situatës. Duhet të jenë të paanshme, të informojnë në mënyrë objektive dhe parim kryesor duhet ta kenë profesionalizmin.

Pikërisht për shkak të shkeljeve të këtyre parimeve e sidomos të parimit të paanshmërisë dha dorëheqje edhe kryetarja e AGPK-së , Liridona Lluka - Gashi

Në një shtet apo shoqëri ku mediat, në vend të informimit kanë për qëllim diskualifikimin dhe linçimin e personave të caktuar dhe të shënjestruar, demokracia e humbë kuptimin dhe kemi keqpërdorim të skajshëm të lirisë së shprehjes.

Mediat nuk mund dhe nuk duhet ta luajnë rolin e hetuesit, denoncuesit,informatorit policor, prokurorit apo gjykatësit. Aq më parë që pushtetet janë të ndara ndërkaq mediat duhet të jenë pushteti më i fuqishëm moral nëse bëhet pushtet i informimit objektiv, të paanshëm dhe profesional. Mediat, pa dallim cilat janë nuk kanë të drejtë ta shpallin askend kriminel apo të akuzojnë për krime të rënda pa një vendim të gjykatës përkatëse dhe pa përfunduar hetimet.

Situata në Kosovë është e rëndë, demokracia është ende duke i bërë hapat e parë, papunësia dhe varfëria është shqetësim i arsyeshëm i të gjithëve, korrupsioni është gjithëpërfshirës si dhe kemi pasiguri të madhe ekonomike, politike dhe ekzistenciale.

KMDLNj shpreson se këto janë argumente të mjaftueshme që votuesi në zgjedhjet e 8 qershorit 2014 duhet t’i kenë parasysh para se ta hedhë votën në kutinë e votimit. Le të jetë votuesi ai që me votën e vet do t’i ndëshkojë keqbërësit apo do t’ua jep besimin për të qeverisur në katër vitet e ardhshme atyre që besojnë se e meritojnë.

Le të krijohet një situatë ku vjedhja e votave, nëse nuk mund të eliminohet në tërësi atëherë të minimizohet në masë që nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Dhe, përfundimisht të gjithë duhet të angazhohemi që të krijohet një situatë që të pranohet rezultati i zgjedhjeve në rast se nuk mund të dëshmohen parregullsitë eventuale.

Këto zgjedhje janë të parakohshme, nuk janë të përgatitura mirë, po mbahen pa përfunduar reforma zgjedhore dhe me ligj të vjetër të zgjedhjeve dhe që nuk garanton se do të kalojnë pa probleme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)