20 Janar 2025

KMDLNJ: Familja Jashari të mos ndërhyjë në grindjet brenda llojit!

Prishtinë 4 mars - Kohëve të fundit ka filluar një “luftë” e pashpallur që ka karakter denoncues midis ish bashkëluftëtarëve dhe ish komandantëve të UÇK –së me ç’rast nuk kursehet askush dhe përdoren cilësime jashtëzakonisht fyese.

Këto cilësime e kanë burimin te përpjekja për dominim politik për ta eliminuar kundërshtarin (tash edhe armik) duke mos zgjedhur mjete e mënyra.

Fjalori i përdorur gjatë kësaj lufteje të pamoralshme është nën çdo nivel komunikimi dhe më tepër është material për Prokurorinë e Shtetit se mjet për konsum medial. E përbashkëta e kësaj përballjeje të pazakontë, të dëmshme dhe jo të dinjitetshme është përpjekja për përdorim apo keqpërdorim e familjes aktuale Jashari përmes figurës së Komandantit Legjendar të UÇK –së, Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes Jashari që bëri sakrificë të paimagjinueshme deri në vetflijim, për lirinë e këtyre që tashmë kanë shpallur luftë të hapur njëri – tjetrit dhe çlirimin e Kosovës.

Njëra palë e akuzon palën tjetër se e ka tradhëtuar Komandantin Legjendar Adem Jasharin dhe se për këtë arsye janë persona të padëshirueshëm për këtë familje duke kërcënuar me dëshmitarë që ende janë gjallë si dhe incizime nga koha për të cilën flitet kurse pala tjetër përgjigjet se këto sulme bëhen për qëllime të eliminimit politik përmes kësaj fushate shpifëse dhe se kjo fushatë që përdoret është arsyetim për sabotim të luftës duke mos qenë kurrë pjesë e luftës të palës tjetër. Gjithastu thuhet se familja Jashari i ka incizimet dhe se kjo familje ka qenë e përmbajtur në deklarime për shkak të Epopesë së UÇK –së dhe se pas 5 marsit 2016 familja Jashari do të bëjë publik qëndrimin për këtë kacafytje verbale midis komandatëve të UÇK –së!

KMDLNj konsideron se familja Jashari e cila e ka shkruar dhe e ka vulosur historinë më të re të Kosovës dhe popullit shqiptar përmes sakrificës së katër gjeneratave duke luftuar me forcat e armatosura të regjimit kriminal të Serbisë derisa janë shndërruar në një jetëgjatësi të përjetshme duhet të qëndrojë mbi interesat e këtyre grindavecëve të pa pjekur kombëtarisht dhe politikisht duke mos u deklaruar fare për këtë rast. Çdo deklarim do ta vë në pyetje neutralitetin dhe do të përdorej apo më mirë të themi do të keqpërdorej nga njëra palë për ta mundur palën tjetër dhe kjo, jo që nuk do të ndikonte në zgjidhjen e lëmshit të ngatërruar të marrëdhënieve por vetëm sa do të ndikonte në përshkallëzimin e situatës ku askush nuk do të fitonte dhe pasojat do të ishin edhe më të rënda.

Me disa nga akuzat e ngritura ( jo më dyshime) të disa protagonistëve do të duhej të merrej Prokuroria e Shtetit e jo familja Jashari. Deklarimi publik i familjes Jashari për këtë qërim hesapesh politike dhe jo vetëm politike, në rrethana të një tensionimi të skajshëm nuk është i nevojshëm e as që ndikon në qetësimin e situatës prandaj familja Jashari, si autoritet i pakontestueshëm kombëtar dhe moral, duhet të qëndrojë në lartësinë e detyrimeve të trashëguara nga pjesa e martirizuar e familjes Jashari sikur që duhet të mbetet mbrojtës për të gjithë heronjtë dhe martirët e kombit, jo vetëm të luftës së fundit të UÇK –së por e të gjitha luftërave të popullit shqiptarë deri në çlirimin e Kosovës duke e ruajtur dhe mbrojtur paanësinë sidomos në rastin e palëve grindavece që aq lehtësisht shkelin mbi sakrificat e të tjerëve , për përfitime personale. Askush nuk mund të rehabilitohet duke sulmuar të tjerët sikur që askush nuk mund të akuzohet duke u sulmuar pa fakte.

Askush nuk ka të drejtë të keq – përdorë sakrificën e tjetrit për eliminime politike dhe përfundimisht të gjithë këta, duke e keqpërdorur Komandantin Legjender të UÇK –së, Adem Jashari dhe Heronjtë e Kombit vetëm se po lakuriqohen si mashtrues ordinerë të cilët nuk i merr askush seriozisht. Familja Jashari është familje që i ka dyert e hapura për të gjithë ata që kontribuan në luftë sikur edhe për ata që kontribuojnë në ndërtimin e paqes prandaj është e domosdoshme ta ruajë neutralitetin duke mos anuar kah asnjëra palë.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)