KMDLNj: Diskriminim në baza gjinore në Qeverinë e Kosovës
Republika e Kosovës është zotuar, edhe në prezantimin e një rezymeje të programit qeveritar nga kryeministri i ri se do të respektojë parimin e mos diskriminimit në çfarëdo baze konkretisht mos diskriminimin në baza gjinore.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) vlerëson se pikërisht qeveria që do të duhej të ishte garantuese dhe zbatuese e krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë po e shkelë këtë zotim dhe standard pasi që është vetëm një ministre femër në kabinetin e ri qeveritar dhe një post i improvizuar ministror për një ministre tjetër femër.
KMDLNj thekson se ka qenë përgjegjësi e partive politike që kanë bërë koalicion të respektojnë parimin e barazisë gjinore përmes mos diskriminimit duke propozuar më shumë femra për poste ministrore dhe poste të tjera vendimmarrëse. Edhe ashtu, disa ministri janë të dizajnuara të udhëhiqen nga femrat prandaj ka pasur shumë mundësi të shmangen nga diskriminimi i cili është flagrant dhe i papranueshëm.
\"Të fillosh qeverisjen pikërisht me datën 10 dhjetor kur shënohet Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut duke diskriminuar në baza gjinore është tregues i qartë se politika kosovare po identifikohet me një maskulizëm tradicional dhe maçoizëm primitiv\", thekson KMDLNJ.
Pikërisht për këtë arsye KMDLNj e denoncon këtë diskriminim në baza gjinore si shkelje e të drejtave të njeriut në ditën kur, së paku simbolikisht duhen të mbrohen ato të drejta të 10 dhjetorit, datë kur në tërë botën shënohet kjo ditë si ditë e të drejtave të njeriut.