Klinaku propozon një qeveri gjithëpërfshirëse
Prishtinë, 18 qershor - Avni Klinaku, nga Lëvizja për Bashkim, ka deklaruar se është e padiskutueshme se koalicioni PAN është fituesi juridik i zgjedhjeve, ashtu siç është e qartë se fituesi moral i zgjedhjeve është LVV.
\"Çështja është se si të menaxhohet ky rezultat në të mirën e vendit. Barrikadimi i secilës palë në fitoren e vet e dëmton shumë interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Karrierizmi politik në këtë mandat mund ti sjell shumë dëme Kosovës\", ka deklaruar Klinaku.
Sipas Klinakut, PAN e ka të drejtën e pakontestueshme juridike për ti formuar institucionet për këtë mandat, por nuk i ka deputetët e mjaftueshëm për ta bërë këtë. Sipas tij, përpjekjet për ta blerë ndonjë deputet nga PAN-i jo vetëm që janë të pandershme, por edhe Kosovën e çojnë në varësi të madhe nga Lista Serbe.
\"Në anën tjetër, edhe LVV e LAA nuk duhet dhe nuk është e ndershme e sidomos nuk është e mirë për Kosovën ti fërkojnë duar me kënaqësi për gabimet e kushtëzuara të kundërshtarit kur dëmtohen interesat e Kosovës\", ka deklaruar Klinaku.
Sipas tij, askush nuk duhet të përpiqet të formojë qeveri nëse nuk i ka mbi 51 deputetë shqiptarë në këtë mandat, derisa një qeveri gjithëpërfshirëse, qoftë edhe vetëm njëvjeçare, do të ishte shumë e mirëseardhur për situatën e dhënë.
Klinaku mendon se PAN-i, duhet që në të mirën e Kosovës, të tërhiqet nga e drejta e vet juridike në favor të një qeverie gjithëpërfshirëse ose të një qeverie LVV-LAA.
Sipas tij, nëse nuk ndodhë kështu, edhe pse të kushtueshme e të mundimshme, prapseprapë më të mira janë zgjedhjet e reja sesa zgjidhjet e këqija.