KLGI publikon analizën për financimin e shërbimeve sociale në nivel lokal
Prishtinë, 20 janar - Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë me temën “Financimi i Shërbimeve Sociale në Nivel Lokal”. Pjesëmarrës ishin drejtorë të Drejtorive për Mirëqenie Sociale në nivel lokal; zyrtarë të ministrive të linjës; drejtues të Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale e përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që merren me këtë fushë.
Gjatë punëtorisë u prezantuan të gjeturat mbi financimin e shërbimeve sociale në nivel lokal që nga procesi i decentralizimit deri në vitin aktual. Instituti KLGI nëpërmjet analizës “Shërbimet Sociale në Komuna – Trendët e financimit 2010 – 2023” ka analizuar periudhat kyçe të financimit të shërbimeve sociale në nivel lokal, duke nxjerrë një analizë me të dhëna të detajuara.
Përkundër rritjes së nevojave, ende është i nevojshëm plotësimi i kapaciteteve menaxhuese dhe profesionale në ofrimin e shërbimeve sociale. Komunat janë të mandatuara në marrjen e përgjegjësive për ofrimin e ndihmës sociale dhe shërbimeve sociale (me përjashtim të pagesës së pensioneve). Edhe përkundër ofrimit të shërbimeve sociale, komunat përtej kësaj, mund të bëjnë edhe veprime tjera sektoriale për përkrahjen dhe financimin e shërbimeve sociale.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.