Klark: Ndërhyrja në Kosovë, kauzë e drejtë
SHBA, 14 prill - Nga perspektiva njëmbëdhjetëvjeçare, fuqishëm mbështes operacionin e NATO-s dhe them se kemi bërë atë që ishte e drejtë, u shpreh gjenerali Uesli Klark.
Aksioni në vitin 1999 ishte ndërmarrë për shkak se ne mund të shihnim fillimin e përsëritjes së modelit të pastrimit etnik në Ballkan. Prandaj, ishte kjo çështje që e nxiti NATO-n të veprojë, theksoi Klark, në një intervistë dhënë radios Europa e Lirë.
Ndërhyrja në Kosovë, shtoi Klark, nuk ishte vetëm një aksion humanitar, por ishte një aksion për parandalimin e katastrofës humanitare që po zhvillohej para nesh.
Pyetjes nëse aksioni i vitit 1999 ishte i arsyeshëm, meqenëse Kosova sot përballet me shumë probleme, Klark vlerëson se ajo që është bërë në vitin 1999, është ndërmarrë për të parandaluar një raund të pastrimit etnik nga Serbia, që do ta ndizte Ballkanin dhe do të shkaktonte dështim në misionet në Bosnjë dhe në Maqedoni.
Prandaj, fuqishëm e mbështes operacionin nga kjo perspektivë 11-vjeçare e shikimit prapa dhe them: Po, bëmë atë që ishte e drejtë ato ditë, nënvizoi Klark.
Ndërsa sa i përket pohimeve për refuzimin e gjeneralit britanik, Majk Xhekson, për të zbatuar urdhrin e tij për ndaljen e trupave ruse drejt aeroportit të Prishtinës, më 12 qershor, Klark tha se asnjëherë nuk ka pasur mosrespektim të hierarkisë.
Ai theksoi se komandanti britanik kishte qëndrim tjetër nga ai. Xhekson kishte mbështetjen e autoriteteve kombëtare dhe ata intervenuan tek autoritetet e mia kombëtare. Kështu funksionon NATO-ja, sqaroi Klark.