Kjo ishte qeveri e keqe
Prishtinë, 17 shtator - Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, ka thënë se viti 2014 mund të konsiderohet vit i humbur për Kosovën si në aspektin politik, po ashtu, edhe në atë ekonomik.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Shatri ka thënë se ka pritur që pas shpalljes së pavarësisë Kosova do të ecë në zhvillimin ekonomik. Pas shpalljes së pavarësisë, kurrë sma ka marrë mendja se do të gjendemi në një situatë kaq të rëndë ekonomike dhe sociale. Shpresat tona për prosperitet kanë qenë më të mëdha, është shprehur Shatri.
Ai ka thënë se investitorët po ikin nga Kosova. Jo pse nuk kanë interesim për të investuar, pasi këtu fuqia punëtore është e lirë dhe njerëzit kanë prirje në ndërmarrësi dhe afinitet për përvetësimin e njohurive të reja teknologjike, por për shkak se nuk po u ofrohet siguri dhe seriozitet në projekte, ka deklaruar Shatri.
Për të gjitha këto ai e ka fajësuar qeverinë Thaçi.
Problemet të cilat i përmenda janë si pasojë e një qeverisje të keqe që kemi pasur. Ne jemi dëshmitarë që në këtë periudhë, sidomos nga viti 2008, vëllimi i investimeve të huaja ka rënë, ishte mbi 800 milionë euro, kurse tani është nën 400 milionë euro, ka thënë Shatri.
Shatri, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se viti 2014 mund të konsiderohet vit i humbur për Kosovën si në aspektin politik, por ashtu edhe në atë ekonomik.
Ai ka vlerësuar se nga momenti kur janë shpallur zgjedhjet e 8 qershorit dhe deri më tani puna në institucione ka rënë dhe njerëzit kanë filluar të shikojnë se si të përfitojnë nga fundi i mandatit.
Shatri ka thënë se Kosova gjendet në një situatë të rëndë ekonomike dhe sociale, e për këtë e ka fajësuar qeverinë Thaçi.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Shatri ka thënë se e drejta për ti formuar institucionet u takon partive të bllokut, pasi e kanë shumicën e deputetëve.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse blloku e drejton qeverinë e ardhshme, të jetë ministër i Financave.