KIPRED tërhiqet nga Demokracia në Veprim
Prishtinë, 15 dhjetor - Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) me 14 dhjetor 2010, ka vendosur të tërheqet nga koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim për shkak të pakënaqësive të shumta me udhëheqjen e procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
KIPRED, që njëherësh ka qenë themelues i këtij koalicioni, konsideron se Demokracia në Veprim nuk e ka kryer punën e saj në vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe sidomos ka dështuar të raportojë në mënyrë objektive dhe profesionale për parregullsitë dhe manipulimet të votës së lirë.
Përkundër faktit se shumica e vëzhguesve në terren kanë kryer punën e tyre, sekretariati i koalicionit, i udhëhequr nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka dështuar në grumbullimin dhe publikimin e këtyre të dhënave.
KDI-ja, e cila ka monopolizuar procesin e rrjedhës së informatave ditën e votimit, duke mos u lënë qasje madje as organizatave tjera anëtare, është vonuar në raportimin e parregullsive të shumta dhe nuk ka marrur qëndrim të prerë rreth manipulimeve të votës së lirë.
Roli i institutit KIPRED përbrenda Demokracisë në Veprim ka qenë që në baza vullnetare të shërbej si qendër analitike e informatave që kanë ardhur nga vëzhguesit në terren.
Ditën e votimit, përkundër insistimit të disa organizatave të koalicionit që të telefonohen vëzhguesit e turnit të parë dhe të nxjerren informata për parregullsitë eventuale, KDI-ja u ka dhënë prioritet nxjerrjes së rezultateve.
KIPRED konsideron se roli i shoqërisë civile nuk është tu shërbej interesave politik apo KQZ-së në nxjerrjen e rezultateve, por të vëzhgoj procesin e votimit dhe numërimit të votave dhe të raportoj për cilëndo parregullsi të evidentuar, duke garantuar kështu proces të rregullt zgjedhor.
Si pasojë e vendimeve dhe prioriteteve të gabuara të vëna nga KDI-ja, Demokracia në Veprim është vonuar me grumbullimin e të dhënave nga terreni dhe ka dështuar të raportojë për të gjitha parregullsitë.
Për më shumë, parashtrimi i ankesave në PZAP dhe publikimi i gjetjeve të vëzhgimit në një konferencë për media të datës 14 dhjetor 2010, ka qenë i pjesshëm dhe selektiv. Përqëndrimi në parregullsitë edhe ashtu evidente në Skenderaj dhe Drenas dhe injorimi i manipulimeve tjera, sidomos ato në Malishevë dhe Mitrovicë, është i papranueshëm për ne.
Me këtë vendim, instituti KIPRED mbetet i përkushtuar që të punojë më tej në zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe do të angazhohet si institut i pavarur që të mbikëqyrë proceset zgjedhore si elemente qenësore të demokracisë.