03 Maj 2024

KIPRED: Kosova të jetë një zonë zgjedhore

Prishtinë, 16 dhjetor - Kosova të jetë një zonë zgjedhore, të votohet me lista të hapura dhe votuesit të kenë vetëm një votë dhe pragu për të hyrë në Kuvend të jetë natyral, janë rekomandimet që Instituti KIPRED preferon të bëhen në kodin e zgjedhjeve në Kosovë, të prezantuara në konferencën për gazetarë të mbajtur të premten, më 16 dhjetor, në Prishtinë.

Instituti KIPRED është një nga monitoruesit kryesorë të sistemit zgjedhor në Kosovë dhe tani, si përfaqësues i shoqërisë civile, është pjesë e procesit për përmirësimin e zgjedhjeve në Kosovë.

KIPRED ka analizuar me hollësi ndryshimet e propozuara deri tani dhe ka studiuar ndikimin që këto ndryshime do të kishin në tërë procesin e zgjedhjeve, duke përfshirë ndryshimet që do të bëheshin në përbërjen e Kuvendit të Kosovës, në përfaqësimin rajonal, në numrin e votave për zgjedhjen e një deputeti dhe pragun për të hyrë në Kuvend.

Nga këto studime, që prezantohen në raportin më të ri të KIPRED-it “Modelimi i Kosovës me zona zgjedhore”, KIPRED ka nxjerrë rekomandimet e veta që ja ka përcjellë Komisionit për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Modelimi që ka bërë KIPRED tregon se ndarja e Kosovës në disa zona nuk do të ndikojë në mënyrë thelbësore në përbërjen e Kuvendit.

Deri sa kjo do të siguronte një përfaqësim të rajoneve në Kuvendin e Kosovës, në të njëjtën kohë kjo do të bënte të pabarabartë garën për të hyrë në Kuvendin e Kosovës pasi do të ndryshonte pragu për deputetë në zona.

Më saktësisht, deputetët në garë në zonën e Pejës do të duhej të siguronin më shumë vota për të hyrë në Kuvend se sa deputetët në garë në zonën e Prizrenit. Prandaj, ndarja në zona nuk duket si një zgjidhje që do të ndihmonte garën demokratike në Kosovë.

Si ndryshim më i rëndësishëm, sipas KIPRED-it, është që votuesit të kenë vetëm një votë, në vend se të kenë 10 si në vitin 2007 apo 5 si në vitin 2010. Nëse votuesit kanë vetëm një votë atëherë ata do të kenë mundësi që të zgjedhin përfaqësues të tyre rajonal që do t’i përfaqësojnë ata në Kuvendin e Kosovës.

Votimi me 5 vota ka qenë edhe një prej “instrumenteve” kryesore për të keqpërdorë votën në zgjedhjet e vitit 2010 dhe heqja e kësaj mundësie do të heqë automatikisht edhe mundësinë për keqpërdorim me votat e votuesve. Për më tepër, kjo do ta bëjë më të lehtë edhe votimin për vet votuesit.

KIPRED gjithashtu rekomandon që listat të jenë të hapura dhe që pragu për të fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës të jetë natyral. Kjo do të sigurojë përfaqësim më të drejtë të të gjitha grupeve apo edhe individëve dhe do të hapte zgjedhjet për aktorë tjerë, përveç partive të mëdha që dominojnë skenën politike në Kosovë.

KIPRED beson që këto janë ndryshimet më të lehta dhe më të dobishme që do të siguronin proces më të mirë e më të drejtë të zgjedhjeve në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)