KGJK: gazeta Kosova Sot tejkalon normat gazetareske
Prishtinë, 24 qershor - Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është duke i përcjell me shqetësim shkrimet në vazhdim në gazetën Kosova Sot në lidhje më gjyqtaren e Gjykatës Komunale të Prishtinës, znj. Makifete Saliuka.
Në mbledhjen e mbajtur me 23 qershor 2010, Këshilli Gjyqësor shqyrtoi kërkesën e znj. Saliuka dhe instancave tjera, dhe konstatoi se gazeta Kosova Sot ka tejkaluar normat gazetareske që dalin nga Kodi i Mediave, dhe kërkon nga redaksia dhe gazeta Kosova Sot që të ndërpriten shkrimet kundër gjyqtares Makifete Salikuka ngase ato paraqesin konflikt interesi me qëllim të ndikimit mbi punën e pavarur të gjyqtares në fjalë.
Po ashtu, konstatohet se përmes këtyre shkrimeve jo vetëm që është shkelur integriteti i gjyqtares Saliuka por edhe i sistemit gjyqësor në tërësi.
Në këtë konstatim, Këshilli Gjyqësor iu referua edhe ankesës se miratuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës të datës 12 maj 2010 në të cilën vendim janë konstatuar shkeljet e Kapitullit katër (4) dhe kapitullit dy (2) të Kodit të Mediave.
Për më tepër, Këshilli është duke ndjekur me shqetësim edhe shkrimet në lidhje me anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.