28 Prill 2024

Këtë javë na njohin edhe dy shtete

Prishtinë, 26 korrik - Gjatë kësaj jave priten ta njohin Republikën e Kosovës edhe dy shtete. Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” një burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ). “Këtë javë presim të na njohin edhe dy shtete të kontinentit të Afrikës.


Opinioni do të njoftohet menjëherë sapo të arrijnë notat verbale të këtyre dy shteteve”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë një ditë më herët për “Epokën e re”, ka thënë se ai personalisht është duke lobuar në kontinentin e Afrikës për t’i bindur ato shtete ta njohin realitetin e ri në Kosovë.
Pacolli ka thënë se atmosfera për njohje të reja është shumë pozitive, pavarësisht antilobimit shumë të fortë të Serbisë.

“Jam duke punuar shumë. Shumica e shteteve afrikane janë shtete demokratike, që kanë një parlament funksional, kanë institucionet e tyre dhe njohja varet nga miratimi i atyre institucioneve. Nuk e di nëse do të trajtohet tani puna e Kosovës apo më vonë nga ato shtete, prandaj nuk do të them data. Por, jam i bindur se atmosfera për njohje të reja është shumë pozitive, pavarësisht antilobimit shumë të fortë të Serbisë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të udhëtojë për vizitë në Tunizi. “Do ta vizitoj Tunizinë. Është vizita e parë që i bëhet qeverisë së re në Tunizi. Do të trajtohet edhe çështja e njohjes”, ka thënë Pacolli.


Pacolli ka thënë se institucionet e mëhershme të Kosovës e kanë neglizhuar kontinentin e Afrikës. “Dua t’ju them se kontinenti i Afrikës ka qenë i neglizhuar nga institucionet tona të mëhershme. Askush nga institucionet e Kosovës nuk ka qenë në Afrikë, përpos ish-ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj”, është shprehur Pacolli.


Pacolli ka treguar se ka hyrë në një territor ku diplomacitë e shkuara të Kosovës nuk kanë lobuar sa duhet. “Askush nuk i ka vizituar shtetet në cilat unë kam qenë.


Brenda një periudhe të shkurtër kam vizituar rreth 22 shtete, edhe në nivel krerësh shtetërorë. Mund të them me përgjegjësi të plotë se në këto vende është shkuar përpara procesi i lobimit, edhe pse paksa me vështirësi”, ka thënë Pacolli.
Pacolli i ka bërë thirrje opozitës dhe qytetarëve të Kosovës që të kontribuojnë aty ku janë për vendin e tyre sepse, sipas tij, çdo kontribut rreth njohjeve është shumë i vlefshëm, pavarësisht se nga kush vjen.


Pacolli ka treguar se lobimi i tij është i përqendruar në Afrikë, duke bërë të ditur se së shpejti do të shkojë në Republikën Jugafrikane, shtet i cili ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.


Republika e Afrikës Qendrore ka qenë shteti i fundit që ka njohur Kosovën, duke çuar në 77 numrin e njohjeve. Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kjo njohje ka ardhur si rezultat i një lobimi të fuqishëm që ka bërë diplomacia e Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)