Këtë javë Kosova do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në BE
Ai tha se para një viti, në takimin vjetor të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Bruksel, kanë bërë të ditur se, këtë vit do të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Sot, në mbledhjen e 112 të Qeverisë, po e bëjmë të ditur se aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, që po aplikojmë për Bashkimin Evropian, edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për nivelin sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë”, tha Kurti.
Ai tha se kaa ardhur koha, që statusin potencial për kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
E kjo sipas tij është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë, të cilët besojnë thellë se e ardhmja jonë është brenda Bashkimit Evropian krahas shteteve demokratike, me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë e të sundimit të ligjit.
Para një jave, në Samitin e Tiranës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët, Bashkimi Evropian bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit.
"Andaj, aplikimi ynë në Bashkimin Evropian në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit që Bashkimi Evropian i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigje direkte ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës."
"Krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitura; me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me Bashkimin Evropian; me institucione të qëndrueshme e me kapacitetet e plota për tu përgjigjur në pyetësorin e Bashkimit Evropian; dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon", theksoi kryeministri Kurti.
Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik.