Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit i mungon angazhimi
Prishtinë, 26 tetor - Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ka thënë se Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili drejtohet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është duke i munguar angazhimi.
Në këtë bisedë për Epokën e re, Preteni ka vlerësuar se ky këshill është dashur të mblidhet menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Nisma ishte e mirë. Edhe ideja e mirë, por është duke munguar angazhimi. Vlerësoj se dinamika e takimeve nuk është sipas kërkesave dhe nevojës. Menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit është dashur të takohen anëtarët e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit për të debatuar në lidhje me të gjeturat e këtij raporti dhe për detyrat që duhet të ndërmerren në vijim, ka thënë Preteni, i cili është pjesë e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Sipas tij, ky këshill është dashur ta bëjë një plan për ti evidentuar mangësitë e konstatuara në raportin e Progresit. Raporti është real dhe mangësitë janë të adresuara mirë. Institucionet e vendit duhet të veprojnë më me urgjencë dhe me seriozitet, ka deklaruar Preteni.