Këshilli Prokurorial i Kosovës zgjodhi dy anëtarët e rinj të KPK-së
Prishtinë, 8 dhjetor - Këshilli Prokurorial i Kosovës mbajti sot një takim pune me të gjithë prokurorët vendës të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u diskutua për kalimin nga struktura aktuale e prokurorive në strukturën e re organizative, siç parashihet me ligjin për Prokurorin e Shtetit, që hyn në fuqi më 1 janar 2013.
Gjatë këtij takimi, u bë nominimi i kandidatëve për kryeprokurorë të Prokurorisë së Apelit në Prishtinë dhe kryeprokurorë të shtatë prokurorive Themelore në Republikën e Kosovës. Propozimet për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit dhe prokurorive Themelore do të shqyrtohen në takimin e radhës së Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili pritet të mbahet gjatë javës së ardhëshme.
Po ashtu në këtë takim pas propozimeve nga prokurorët u zgjodhën edhe dy anëtarë të rinjë të Këshillit Prokurorial, prokurori Idain Ismajli nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, i cili i përket edhe komunitetit jo shqiptar dhe prokurori Sylë Hoxha nga radhët prokurorëve të prokurorive themelore, të cilët nga 1 janari 2013 do të fillojnë punën si anëtarë të KPK-së.
Kalimi nga struktura aktuale e prokurorive në strukturën e re organizative, është paraparë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2013.
Struktura e re organizative e prokurorive do të jetë: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë dhe Prokuroria e Apelit me seli në Prishtinë e përbërë nga:
Departamenti i Përgjithshëm dhe Departamenti për Krime të Rënda
Shtatë prokurori Themelore të përbëra nga: Departamenti i Përgjithshëm, Departamenti për të Mitur, Departamenti për Krime të Rënda me seli në:
1. Prishtinë, që përfshinë territorin e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogocit dhe të Graçanicës;
2. Mitrovicë, që përfshinë territorin e Mitrovicës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë;
3. Pejë, që përfshinë territorin e Pejës, Deçanit, Junikut, Istogut dhe Klinës;
4. Gjakovë, që përfshinë territorin e Gjakovës, Malishevës, dhe Rahovecit
5. Prizren, që përfshinë territorin e Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës;
6. Gjilan, që përfshinë territorin e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, Vitisë, Kllokotit dhe Vërbocit;
7. Ferizaj, që përfshinë territorin e Ferizajit, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit.
Prokuroria e Apelit themelohet për të vepruar para Gjykatës së Apelit dhe ka juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkaq Prokuroria Themelore ka juridiksion mbi të gjitha lëndët e shkallës së parë, përveç nëse është paraparë ndryshe më ligj.