Kërkohet të ndryshohet draft-ligji për konfiskimin e pasurive
Prishtinë, 11 shkurt - Forumi Këshillues i OJQ-ve për Pakon Ligjore antikorrupsion ka mbajtur një konferencë për media para Kuvendit të Kosovës, ku janë paraqitur vërejtjet në lidhje me Projektligjin për Konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe Strategjisë Antikorrupsion.
Sipas Forumit, pas një kohë të gjatë MD-ja, publikoi një draft fillestar të ligjit, si draft për diskutim, ku fillimisht ishte tejet i dobët në materien e tij, duke filluar që nga emërtimi e deri të dispozitat tjera ligjore.
Shoqëria Civile e mbledhur në një Forum prej nëntë organizatave joqeveritare krijoi disa rekomandime të cilat në qoftë se nuk përfshiheshin në projektligj, atëherë konsideronim se ky projektligj do të ishte tërësisht i kotë.
Dispozitat kryesore që përmban ky projekt-ligj janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë (Kodin Penal të Kosovës, Kodin e Procedurës Penale të Kosovës). Rekomandimet e Shoqërisë Civile nuk u morën parasysh nga Ministria e Drejtësisë.
Pas kësaj, Forumi filloi avokimin në Kuvendin e Kosovës, konkretisht në Komisionin për Legjislacion. Nga ky komision patëm marrë premtime se rekomandimet tona do të futen në këtë projektligj, mirëpo me krijimin e grupit punues një gjë e tillë nuk ndodhi.
Arsyeja e mos marrjes parasysh të rekomandimeve tona ishte se nuk mund të ndryshohet emërtimi dhe fushëveprimi i këtij projektligji.
Pas kësaj në një mbledhje urgjente të Komisionit për legjislacion të datës 08-02-2013, ky projektligj me vota te pozitës kaloi komisionin dhe u dërgua për votim në seancën plenare të datës 11-02-2013.
Sipas rekomandimeve te Forumit për pakon Anti-korrupsion duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njejtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji.
\"Ne rekomandonim që kualifikimi pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale, të ndryshohet me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale).\"
Po ashtu sipas forumit pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare.
Forumi konstaton se me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandojmë ne, paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.
Ky draft-ligj sipas këtyre OJQ-ve do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti tij.
Sugjerohet krijimi i mekanizmave të veçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.
Mos marrja parasysh e rekomandimeve tona nga MD-ja, edhe nga Kuvendi i Kosovës, konsiderojmë se është e qëllimshme, sepse Qeveria dhe Kuvendi nuk janë të interesuar që të nxjerrin një ligj i cili do të ishte efikas për luftimin e pasurive të kundërligjshme.
Qëllimin e nxjerrjes së këtij ligji nga MD-ja ose Qeveria më tepër e shohim si një numër sa për të plotësuar disa kërkesa të ndërkombëtarëve, se sa interesim për të rregulluar fushën e luftimit të pasurimit të paligjshme.
Ky projektligj, pa këto elemente esenciale siç janë: kundërligjshmëria, retroaktiviteti, dhe barra e provës, do të jetë një ligj i panevojshëm, dhe vetëm sa do të krijoj dualizëm ligjor ose kolizion ligjor në mesë të këtij ligji dhe Kodit Penal.
Konsiderojmë se nëse ky ligj kalon i tillë sikurse është sot, ai nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fituar në mënyrë të kundërligjshme, mirëpo do të amnistojë të gjithë ata persona që pas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga hiq gjë.
Pra ky projekt-ligj më tepër shihet si legalizim i pasurive të paligjshme të krijuara deri me tani nga persona të caktuar, sidomos të nivelit të lartë politik, se sa e kundërta.
Forumi Këshillues i OJQ-ve i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që në seancën e sotme të datës 11-02-2013, të mos i votojë Projektligjin për konfiskim dhe strategjinë kundër korrupsionit.
Arsyeja lidhet me atë se janë dokumente shumë të dobëta në përmbajtje, sa që, më tepër legalizojnë korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm, se sa i luftojnë këto fenomene negative që kanë kapluar institucionet tona.