Kërkohet përfaqësim më i mirë i diasporës në vendimmarrje
Prishtinë, 29 mars - Sot, u mbajt konferenca Përmirësimi i Përfaqësimit Politik të Diasporës në Vendimmarrje e organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) dhe Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD) në kuadër të projektit Diaspora për Zhvillim, i cili financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.
Në konferencë u publikua edhe raporti hulumtues Për një përfaqësim më të mirë të diasporës në vendimmarrje në kudër të të cilit janë analizuar 10 praktikat më të mira të përfshirjes së diasporës në vendimmarrje dhe krahasimi i tyre me situatën aktuale në Kosovë.
Kjo konferencë për herë të parë mblodhi së bashku në Kosovë përfaqësues të ministrisë së Diasporës dhe institucioneve të tjera vendore, pjesëtar nga diaspora, përfaqësues të partive politike, shoqëria civile dhe mediat të cilët diskutuan mënyrat për përfaqësimin e diasporës në parlamentin e Kosovës dhe mënyrat e ndryshme të votimit, të cilat mund të aplikohen në Kosovë me qëllim të rritjes së numrit të votuesve nga Diaspora dhe perfshirjes se diaspores ne jeten politike ne Kosove.
Diskutimi i përfaqësimit të diasporës në vendimmarrje u mirëprit nga pjesëmarrësit në këtë konferencë, sidomos nga pjesëmarrësit e të cilët vlerësuan lartë raportin e publikuar dhe diskutimet në këtë konferencë. Gjatë diskutimeve janë propozuar një numër i rekomandimeve, dhe në veçanti u theksua nevoja për ndryshime legjislative në mënyrë që të mundësohet përfaqësimi i diasporës.
Ndër të tjera pjesëtarët e diasporës pjesëmarrës në këtë konferencë propozuan që të ketë një organizim më të mirë nga radhët e diasporës, respektivisht krijimin e një Këshilli gjithëpërfshirës të diasporës Kosovare në mbarë botën si pikë referuese për interesat dhe të drejtat e diasporës, dhe vendosja e lidhjeve më të fuqishme me vendlindjen.
Gjithashtu, u rekomandua që nga kjo konferencë të krijohet një Këshill Transnacional ose Task Force me pjesëmarrësit në konferencë por edhe pjesëtarë të tjerë të diasporës për të lobuar tek institucionet përkatëse në Kosovë lidhur me adresimin dhe shqyrtimin e rekomandimeve dhe shqetësimeve të tjera nga diaspora Kosovare.
Këto rekomandime dhe të tjera të cilat janë elaboruar në këtë konferencë do të përfshihen në raportin përfundimtar të publikuar, të cilat do ti dorëzohen institucioneve të Kosovës për tu konsideruar gjatë shqyrtimit të politikave qeveritare për diasporën. Pjesëmarrësit u shprehen se mbesin me shpresë se kjo konferencë është vetëm hapi i parë drejt përfshirjes të diasporës në proceset vendimmarrëse në Kosovë.
Ne javet ne vijim pritet themelimi i nje grupi lobues gjitheperfshires qe do shtyj perpara rekomandimet e kesaj konference, gjithashtu raporti i publikur do plotesohet me rekomandimet e dala dhe dorezohet zyrtarisht Ministrise se Diaspores per te pershpejtuar dhe lehtesuar procesin e Hartimit te Strategjise per Diasporen.