Kërkesat e opozitës për dorëheqje shpërfillen nga koalicioni qeverisës
Prishtinë, 11 janar - Kërkesat e opozitës për dorëheqje po shpërfillen nga partnerët e koalicionit qeverisës, pavarësisht protestës së fundit masive të opozitës. Madje, qeveritarët thonë se këtë vit do ta vazhdojnë punën edhe më fuqishëm.
Partitë e koalicionit qeverisës vazhdojnë ti shpërfillin kërkesat e partive opozitare për dorëheqje, pavarësisht se protesta e së shtunës ishte më masivja e organizuar deri më tani nga këto të fundit.
Opozita po paralajmëron protesta të reja, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë, me arsyetimin se kjo e fundit ka shkelur Kushtetutën e vendit me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përderisa drejtuesit e ekzekutivit thonë se do ta vazhdojnë punën deri në përfundimin e mandatit katërvjeçar.
Në një situatë të tillë, kur të dy palët nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre, analistët politikë thonë se pozita dhe opozita duhet të fillojnë dialogun për caktimin e një date optimale për zgjedhje të parakohshme.
Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë për Zërin, se pavarësisht protestave të opozitës dhe thirrjeve për dorëheqje, ata do të vazhdojnë punën dhe se do të punojnë sipas planit qeveritar.
Qeveria do të vazhdojë të punojë si deri më tani, madje me intensitet të shtuar. Të shpresojmë se opozita do të kthjellet dhe do të kuptoj se me dhunë nuk përmbyset pushteti dhe se për këtë, siç u pa dje, nuk e kanë përkrahjen e popullit, ka thënë Gecaj.
/Zëri/