19 Janar 2025

Kërkesat e LDK-së, krim ndaj UÇK-së

Prishtinë, 4 prill -  Simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, e ka përshëndetur miratimin e Projektligjit për Veteranët e UÇK-së, duke thënë se ky është një sukses i së vërtetës dhe së drejtës.

Në një prononcim për “Epokën e re”, ai e ka mirëpritur refuzimin e amendamenteve të LDK-së për këtë projektligj, të cilat kërkonin të njihet kontributi i ish-Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë në ekzil. Sipas tij, po të realizoheshin kërkesat e LDK-së Kuvendi i Kosovës do të bënte krim ndaj luftës çlirimtare dhe popullit të Kosovës.

“Ata kanë kërkuar diçka të pamundshme. Edhe sikur këto partitë e tjera ta bënin një lëshim, do të bënin një krim ndaj luftës sonë çlirimtare, do të bënin një krim ndaj popullit të vet, do të bënin një krim ndaj proceseve historike. Kështu që, atyre nuk u ka mbetur tjetër veç me dal me leshu sallën, sepse kanë kërkuar diçka, çfarë ka qenë krejtësisht në kundërshtim me një të vërtetë të cilën e di krejt bota, ata që duan me e ditë”, ka thënë Demaçi.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare ka vlerësuar se amendamentet e LDK-së kanë qenë në kundërshtim me të drejtën dhe të vërtetën.
Sipas tij, partia më e madhe opozitare është munduar t’i bëjë pjesë të ligjit ata që e kanë kundërshtuar luftën dhe e kanë penguar atë. 


“Nëse ato kërkesa do të realizoheshin, atëherë Kuvendi nuk do t’i respektonte të drejtën dhe të vërtetën, sepse ajo kërkesë ka qenë e padrejtë, sepse ata që kanë qenë larg luftës, ata që e kanë penguar luftën janë munduar me u fut në këtë ligj, me u bë pjesë e kësaj lirie që po e gëzojmë sot”, është shprehur Demaçi.

Demaçi, i cili vazhdimisht i ka kritikuar institucionet vendore për mosplotësimin e kërkesave të veteranëve të UÇK-së, ka deklaruar se ligji ofron mjaft favore për këtë kategori.

“Ky është një sukses i së vërtetës, një sukses i së drejtës. Deri më tash ne veteranëve na kanë hyrë në hak të gjithë. Çdoherë neve po na lajnë në fund, por inshallah tash, pasi është aprovuar ligji, do të zbatohet dhe ia shohim hairin. Brenda këtij ligji janë do pika të mira, do të drejta të mira, do mundësi të gjëra që u jepen veteranëve të UÇK-së”, ka theksuar ai.

Më tutje, Demaçi ka deklaruar se ata deputetë që e kanë votuar këtë projektligj e kanë përkrahur të vërtetën dhe kanë respektuar sakrificën e gjithë atyre që kanë rënë për liri.

“Kjo është për t’i përshëndetur të gjithë ata që e respektuan luftën e vërtetë, luftën e gjithë atyre që u flijuan, të atyre që patën fatin për të mbetur të gjallë, edhe atyre heronjve e dëshmoreve tanë, meritat e të cilëve shpeshherë po mundohemi t’i zvogëlojmë. Tash po mundohen me hy hisedarë edhe do tjerë që e kanë penguar luftën, që nuk kanë marrë pjesë në luftë. Tash ata po mundohen me e rehabilutu veten e me u ‘shfercovat’. Kështu që, mendoj se Kuvendi e ka bërë një hap të mirë dhe një punë të mirë që është për t’u përshëndetur”, ka deklaruar Demaçi, duke shtuar se zbatimi i këtij projektligji do të përmirësonte sadopak gjendjen e rëndë të veteranëve të UÇK-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)