Kërkesa e Avokatit të Popullit shqyrtohet nga Kushtetuesja
Prishtinë, 16 tetor - Tre gjykatësit ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese preken direkt nga kërkesa që Avokati i Popullit, lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të presidentes për vazhdimin e mandatit të tyre.
Gjykata Kushtetuese është në procedim e sipër të rastit që Avokati i Popullit e ka dërguar në këtë gjykatë, lidhur me dekretin e presidentes Atifete Jahjaga për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Për këtë rast, nuk dihet nëse në panel do të jenë edhe tre gjyqtarët ndërkombëtarë të cilët preken nga ky rast.
Zëdhënësi i kësaj gjykate, Veton Dula në një përgjigje me shkrim ka thënë se kërkesa tashmë është duke u proceduar, por ai nuk ka bërë të qartë nëse në panel do të jenë edhe gjyqtarët ndërkombëtarë që preken nga kjo lëndë.
Kërkesa do të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, si dhe Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese, ka thënë Dula për Radio Kosovën, duke mos dhënë ndonjë afat se deri kur mund të trajtohet ky rast.
As në institucionin e Avokatit të Popullit nuk kanë dashur të komentojnë rreth asaj se çfarë vlerësimi presin nga Gjykata Kushtetuese kur dihet se tre nga tetë gjyqtarët, preken nga kjo lëndë.
Zëdhënësja e institucionit të Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj e kontaktuar nga Radio Kosova shkurtimisht ka thënë se gjithçka që institucioni i Avokatit të Popullit ka dashur ta thotë, e ka thënë në kërkesën drejtuar Kushtetueses dhe se tani pret trajtim të kësaj lënde.
E ndërkohë, njohësi i çështjeve juridike kushtetuese, Riza Smaka thotë se tre gjykatësit ndërkombëtarë ex jure nuk janë gjykatës, sepse nuk kanë legjitimitet kushtetues.
Ata gjykatës nuk janë të autorizuar për të votuar as për as kundër, për çfarëdo aktgjykimi. Edhe çfarëdo aktgjykimi që do të ishte në bazë të votave të tyre, nuk do të ishte juridikisht i qëndrueshëm. Tia shtojmë edhe faktin që një gjykatës ndërkombëtar që ishte aty pati dhënë dorëheqje, i ka përfunduar mandati, por pastaj është kthyer. Kur jep dorëheqje nuk mund të kthehet për gjykatës, kurrë, tha Smaka për Radio Kosovën.
Smaka thotë se zgjedhja e tyre do duhej të bëhej konform Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, përmes konkursit.
Vendimi i presidentes, Atifete Jahjaga për vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Kushtetuese ishte bazuar në letërkëmbimin që ajo kishte pasur vitin e kaluar me shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Përmes letërkëmbimit ishte paraparë që gjyqtarët ndërkombëtarë në Kushtetuese ti propozojë EULEX-i ndërsa ti konfirmojë formalisht presidentja, duke anashkaluar kështu Kuvendin.(RTK)